Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur sot në një deklaratë për shtyp se brenda një kohe rekord, ky institucion ka nxjerrë të gjithë aktet nënligjore të nevojshme për monitorimin financiar të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 qershorit.
Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha, deklaroi se deri tani kanë shprehur vullnetin e tyre 24 auditë teknicien dhe shprehur vullnetin e tyre 24 auditë teknicien. Tanimë pritet që Ministria e Financave të akordojë fondin e kërkuar për të emëruar auditët kontabël që do të merren me kontroll dhe monitorimin e fushatës zgjedhore të partive politike.
Deklarata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Kuvendi i Shqipërisë në datë 22 maj 2017, miratoi ligjin nr. 90/2017, i cili ndryshoi ligjin për partitë politike dhe ngarkoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me përgjegjësi dhe detyra shtesë, përsa i përket financimit të partive politike dhe monitorimit të shpenzimeve të tyre gjatë fushatës zgjedhore.
Në kuadër të këtyre ndryshimeve ligjore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një kohë rekord, nxori të gjithë aktet nënligjore të cilat do të mundësojnë zbatimin e ligjit për monitorimin e fushatës zgjedhore.
Pavarësisht kohës shumë të kufizuar në dispozicion, KQZ punoi me intensitet duke hartuar dhe miratuar aktet ligjore që rregullojnë aspekte si; mënyrën e përllogaritjes së kostos financiare të çdo aktiviteti, shërbimi apo materiali që do të përdoret për qëllime zgjedhore ose politike gjatë fushatës zgjedhore, llojet dhe numrin e aktiviteteve/veprimtarive/shërbimeve dhe materialeve të lejuara për t’u përdorur nga një parti politike gjatë fushës zgjedhore, kufizimet në përdorimin e materialeve propagandistike, e të tjerë.
Plotësimi i kuadrit ligjor u bë me asistencën dhe ekspertizën e Këshillit të Evropës dhe Institutin Demokratik Amerikan (NDI), të cilët shfrytëzojmë rastin për t’i falenderuar për bashkëpunimin dhe ndihmën e dhënë ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me KiE dhe NDI ka trajnuar financierët e partive politike dhe ekspertët financiar, të cilët kanë një rol të rëndësishëm në procesin e financimit të partive politike.
Gjithashtu, KQZ i ka kërkuar Ministrisë së Financave fond shtesë për të implementuar ndryshimet e fundit ligjore për të bërë të mundur monitorimin e fushatës për zgjedhjet e datës 25qershor 2017.
Ndërkohë, pas shpalljes publike të KQZ-së në media, deri tani kanë shprehur vullnetin e tyre 24 auditë teknicien.
Menjëherë sapo Ministria e Financave të akordojë fondin e kërkuar, KQZ do të emërojë auditët kontabël, të cilët do të fillojnë kontrollin dhe monitorimin e fushatës zgjedhore të partive politike.
Theksojmë se, zbatimi i ligjit 90/2017, “Për partitë politike”, është detyrim jo vetëm për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve por edhe për partitë politike, të cilat duhet të tregojnë vullnet në zbatimin korrekt të ligjit dhe të akteve të KQZ-së në fuqi.
Faleminderit!
(XH.A/SHUPLAKA)