Monopatinat elektrike po kthehen gjithnjë e më shumë në një mjet masiv transporti për qytetarët e Tiranës.
Të përdorura kryesisht nga të rinjtë për të shmangur trafikun e dendur, këto mjete të vogla dhe të shpejta janë bërë pjesë e përditshme e rrugëve urbane, por janë kthyer edhe në burim aksidenti.
Përveç të rinjve, ato po përdoren gjerësisht edhe nga fëmijët, duke vënë në rrezik serioz jetën e tyre.
Vetëm gjatë këtij viti, monopatinat dhe biçikletat janë përfshirë në rreth 7% të aksidenteve rrugore, sipas të dhënave të Policisë së Shtetit.
Shpejtësia e lartë, mungesa e kontrollit dhe mosrespektimi i Kodit Rrugor nga drejtuesit janë disa nga arsyet kryesore që i kanë kthyer këto mjete në një shqetësim serioz.
Në shumë raste, monopatinat lëvizin me shpejtësi 30 deri në 50 km/h, duke tejkaluar kufirin prej 25 km/h që u lejohet, pasi klasifikohen si mjete të lehta.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, ka përgatitur një projekt draft ku propozohet që mosha minimale për përdorimin e monopatinave të jetë 16 vjeç, por deri tani nuk ka asgjë të konfirmuar zyrtarisht.
Rreziku nuk kufizohet vetëm në qytet. Monopatinat qarkullojnë edhe në rrugë interurbane, shpesh pa standarde sigurie dhe pa dokumentacion ligjor.
Deri tani janë vendosur mbi 600 masa administrative ndaj drejtuesve të mjeteve me pedale apo elektrike, por numri i shkeljeve dhe i aksidenteve vazhdon të rritet.
Specialistët e sigurisë rrugore kërkojnë rregullim të qartë ligjor dhe që për çdo mjet që kalon shpejtësinë e lejuar të kërkohet leje drejtimi dhe siguracion.
Në mungesë të ndërhyrjes ligjore dhe kontrollit në terren, ky mjet modern rrezikon të shndërrohet në burim tragjedish të heshtura në rrugët tona.