Mbledhja e kryesisë të dielën mbrëma nuk ka rezultuar aspak frytdhënëse për ish-drejtuesin e demokratëve në Kukës, Ibsen Elezi, sepse ky i fundit u përjashtua nga gara për kreun e Partisë Demokratike.
Mbas këtij zhvillimi, Elezi ka reaguar në rrjetin social “Facebook”, duke thënë se as nuk ishte njoftuar për skualifikimin dhe se e kishte marrë vesh këtë vendim nga mediat.
“Të nderuar miq, tash sapo u ktheva nga Kosova, mora lajmin nga mediat se më kanë skualifikuar nga gara për kryetar të PD. Jua them me bindje që e prisja, e kam deklaruar më parë. Pres të marr përgjigjen zyrtare dhe më pas do kem prononcimin tim”, deklaroi Elezi në rrjetet sociale.
Ndërkohë, burime brenda kryesisë kanë konfirmuar se Elezi është skualifikuar nga gara për shkak se me komentet e tij ai ka tentuar që të denigrojë dhe të dëmtojë Partinë Demokratike.
Ndër të tjera theksohet se ai nuk ka bërë fushatë për PD në zgjedhjet e 25 prillit, dhe nuk ka qenë i angazhuar për fitoren e opozitës duke bërë që të eliminohet nga gara për kreun e partisë.
Në mbledhjen e saj, kryesia ka vendosur që garën për kreun e PD-së ta vijojnë vetëm 4 nga 9 kandidatët. Në garën e zgjedhjeve të 13 qershorit janë, Lulzim Basha, edit Hardhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj.