Ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi, ka shkarkuar nga postet drejtorin e burgut të Kavajës, Durim Perjan dhe drejtorin e burgut të Beratit, Arif Dervishi. Shkak i këtij vendimi është pjesëmarrja e paligjshme e tyre në fushata zgjedhore dhe përdorimi i burgjeve për qëllime politike.
Ish-Drejtori i Beratit dhe Kavajës do të kallëzohen edhe penalisht për veprën penale të parashikuar në nenin 328/a të Kodit Penal.
Veç kësaj, në njoftimin e ministrisë së Drejtësisë bëhet me dije se ministri ka pranuar po sot dorëheqjen nga detyra të Drejtorit të IEVP Elbasan, Renato Minoli.
NJOFTIM PËR SHTYP I MINISTRIT TË DREJTËSISË
SHKARKOHEN NGA DETYRA DREJTUESIT E IEVP BERAT DHE KAVAJË
LIROHET ME KËRKESË TË TIJ DREJTORI I IEVP ELBASAN
Ministri i Drejtësisë z. Gazment Bardhi, ka shkarkuar sot nga detyra Drejtorin e IEVP Berat z. Arif Dervishi, si dhe Drejtorin e IEVP Kavajë z. Durim Perja, me motivacionin e përdorimit të veprimtarisë së institucionit për qëllime politike, pjesëmarrjes së paligjshme në fushatë zgjedhore dhe keqmenaxhimit të institucionit.
Vendimmarrja e Ministrit të Drejtësisë ka ardhur pas inspektimeve të realizuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Gjithashtu, z. Bardhi ka pranuar po sot dorëheqjen nga detyra të Drejtorit të IEVP Elbasan z. Renato Minoli.
Ministri i Drejtësisë z. Bardhi gjen rastit të paralajmërojë çdo zyrtarë që të mos përdorë funksionin publik për qëllime politike, sepse do të përballet me pasojat e këtij veprimi të paligjshëm, jo vetëm administrativisht, por edhe penalisht.
Ministria e Drejtësisë fton çdo qytetar që të denoncojë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve, duke qenë garant i zbatimit korrekt të ligjit.
Z. Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo veprimtari politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve së administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.
(XH.A/SHUPLAKA)