Historia e dhimbshme e një vajze nga Tropoja u tregua sot në emisionin “E Diela Shqiptare”. Fjalën e kemi për Vitorien e cila rrëfeu se për shkak të një zakoni në fshatin e Tropojës ku edhe u lind, babai nuk i flet me gojë prej 15 vitesh vetëm se ajo vendosi të zgjedhë vetë burrin me të cilin do ndante jetën.
“Unë kam 15 vite që jam martuar dhe nuk shkoj tek familja sepse kam marrë burrin me dëshirën time dhe familja ime nuk e donte. Ne kemi qenë komshinj, pra jemi lindur dhe rritur aty dhe mbajmë të njëjtin mbiemër. Arsyeja që babait tim nuk ka pëlqyer kjo lidhje e imja është se jemi rritur në një vend, pasi tradita e zonës së Tropojës kështu e ka.”, u shpreh ajo.
Vitoria nuk la pa treguar edhe historinë e dashurisë me bashkëshortin, me të cilin u rrëmbye dhe nisi një jetë të re në Tiranë. Nga martesa kanë edhe një djalë, tashmë 8-vjeç. Nënën e kishte takuar fshehurazi të atit, por tani kishte ndërruar jetë dhe Vitoria nuk kishte mundur as t’i shkonte në ceremoninë e varrimit “E kam takuar në qytet në Bajram Curri, fshehurazi babit. Ajo më pranoi për këtë lidhje, por kishte frikë babin”,tregon Vitoria. Sot ajo nuk kërkon asgjë më shumë se sa i ati ta falë e ta pranojë sërish. (J.V/Shuplaka)