Një tjetër rast për mosdeklarimin e të hollave në kufi është kapur në pikën kufitare të Morinës ku janë sekuestruar një shumë parash prej 14 500 eurosh dhe për pasojë është proceduar në gjendje te lirë një shtetas, banues në Gërçinë, Gjakovë, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:
Morinë, Kukës / Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Sekuestrohen 14 500 euro, si dhe procedohet penalisht shtetasi kosovar që nuk e deklaroi shumën në kufi.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin K. Gj.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 14 500 euro të padeklaruara nga 49-vjeçari, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. Gj., 49 vjeç, banues në Gërçinë, Gjakovë, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi”