Kryeministri Edi Rama ka përsëritur apelin për opozitën jashtëparlamentare që të marrë pjesë në mbledhjen e propozuar nga Damian Gjiknuri. Në një shkrim në Facebook, Rama i bën thirrje opozitës që të mos e bojkotojë mbledhjen e pasdites.
“Sot në 17:00 është propozuar nga ana jonë përmes Damian Gjiknurit mbledhja e Këshillit Politik. Përsëris apelin për OP jashtëparlamentare që të mos e bojkotojë Këshillin Politik dhe të vijojmë dialogun tripalësh së bashku me OP parlamentare, për reflektimet e risive kushtetuese!”, shkroi kryeministri.
Ditën e djeshme, pas miratimit të marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës parlamentare për Reformën Zgjedhore, ashtu siç u parlajmërua nga kryeministri Edi Rama, Këshilli Politik do të mblidhet. Ky fakt u bë i ditur nga bashkëkryetari i Këshillit Politik, Damian Gjiknuri, i cili njoftoi kolegët përmes një emaili duke i sqaruar se mbledhja e Këshillit do të nisë në orën 17:00.
Në këtë mbledhje, konfirmohet edhe pjesëmarrja e kryeministrit Edi Rama. (A.M/Faxweb.al)