Presidenti Ilir Meta ka shpërndarë sot një shkrim të Profesorit Paul Lendvai, i cili mes të tjerash kërkon që askush të mos impresionohet nga pikturat e Edi Ramës, ndërsa shton se gjatë vizitës së tij në Tiranë i është krijuar ideja e një shteti të brishtë.
Shkruan Meta:
Të dashur qytetarë,
Ju ftoj të lexoni më vëmendje këtë shkrim të Profesorit Paul Lendvai, një nga personalitet e shquara më anti-komuniste në Europë, njohës i mirë i Shqipërisë dhe rajonit, si dhe mbështetës i palodhur i rrugëtimit të tyre europian.
SHKRIMI I PLOTË, i publikuar në Der Standard:
Mos u impresiononi nga pikturat e tij por shikojini mirë ndikimin
Shqiptarët: forca e rezistencës së popullit shqiptar kundra tendencave autoritare lipset të gjejë mirekuptimin, ndihmën e solidaritetin e komunitetit ndërkombëtar
Nga Profesor Paul Lendavi
Botuar në të përditshmen austriake Der Standard, 18 shkurt 2020;
Shqiptarët ishin dhe janë një element i paparashikueshëm dhe i nënvlerësuar në politikën ballkanike të Bashkimit Europian dhe të Fuqive të Mëdha. Duke parë vendndodhjen strategjikisht të rëndësishme të Shqipërisë, Kosovës, e Maqedonisë së Veriut, forca shpërthyese e nacionalizmit shqiptar mbetet një faktor pasigurie i dorës së parë për shtetet fqinjë. Prandaj bllokimi i çeljes së negociatave të antarësimit në BE shkaktoi shqetësime të justifikuara në rajon.
Në Kosovë së fundmi Albin Kurti mori ofiqin e kryeministrit. 44-vjeçari, dikur radikal i majtë e rebel nacionalist premton tashti një kurs të moderuar por pa kompromise në çeshtjet themelore. Të tërë vëzhguesit e informuar theksojnë njëzëri reputacionin e tij si i pakorruptueshëm. Sidoqoftë duhet pritur për të parë sa do të zgjasë e premtuara “Epokë e Re”. E sigurt është që në Kosovë dhe në Shqipërinë fqinje politika nuk merret me nostalgjinë e “Shqipërisë së Madhe” por me luftën për shtetin ligjor e kundër korrupsionit.
Bisedat e mija në Tiranë e në qytete të tjera të Shqipërisë më lanë përshtypjen e një shteti të brishtë.
Kryeministri Edi Rama, i cili qeveris prej gjashtë vitesh, një piktor i njohur mori emër në sajë të rrjeti ndërkombëtar të artistëve dhe retorikës së tij. Tonet e tija herë pas here nacionaliste ( ai propozoi dikur një president për Shqipërinë e Kosovën) nuk duhet marrë seriozisht. Më shumë kujdes i duhet kushtuar ajo që kritikohet si kapja e institucioneve të drejtësisë dhe ndikimi i hatashëm i karteleve të drogës në Shqipëri.
Tragjikomedi
Përfaqësues të Partisë Demokratike, e cila ka bojkotuar parlamentin e zgjedhjet, e quajnë tragjikomike verfikimin e magjistratëve dhe e quajnë qeverinë si “vetshërbim” por abuzimi politik me pushtetin e drejtësisë ka bërë prej dekadash dëme në adiminstratë. Megjithatë edhe kritikët më të ashpër të qeverisë Rama theksojnë se negociatat me BE duhet të fillojnë.
Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë çmos për të rritur presionin mbi qeverinë dhe për të mbështetur transformimin e filluar. Unë i përkas opinionistëve të paktë që kanë përjetuar në lëkurën e tyre diktaturën më mizore në Europë, regjimin vrastar të Enver Hoxhës dhë këtë përvojë e ndava me lexuesit e teleshikuesit. Po kështu edhe kur Milosheviçi, Mlladiçi e Karaxhiçi përgjakën shqiptarët e Kosovës.
Forca mahnitëse e rezistencës së popullit shqiptar kundra tendencave autoritare lipset të gjejë mirëkuptimin, ndihmën e solidaritetin e komunitetit ndërkombëtar.
*Professor Paul Lendvai është një personalitet austriak me origjinë hungareze i cili ka botuar shumë libra, ndër to edhe mbi Shqipërinë, e ka punuar edhe si titullar në televizion publik austriak.