Një nga frikërat më të mëdha për shumë prindër të rinj dhe jo vetëm, është SIDS (Sindroma e vdekjes së parakohshme foshnjore) e cila prek më së shumti foshnjat gjatë 4 muajve të parë të jetës. Kjo është edhe arsyeja kryesore përse mjekët pediatër, por edhe ekspertë të tjerë të shëndetit vënë theksin tek rëndësia e krijimit të disa kushteve për foshnjat gjatë vitit të parë të jetës, si për shembull duhet të flenë gjithmonë me shpinë, dysheku duhet të jetë sa më i butë, temperatura e dhomës duhet të jetë gjithmonë rreth 20 gradë etj.
Pa harruar edhe më të rëndësishmen, një fëmijë duhet të flejë gjithmonë në krevatin e tij, dhe jo në shtratin e prindërve. Megjithatë Keeley Makin dhe Nicky Marsh, prindër të 3 fëmijëve të tjerë, nuk e kishin menduar që një pakujdesi e tillë do të sillte vdekjen e djalit të tyre njëmuajsh Archie. Vogëlushi britanik nga Manchester u gjet i pajetë mëngjesin e 19 nëntorit, pasi gjatë natës prindërit e tij e kishin shtypur pa dashje.
E pikëlluar nga ajo që kishte ndodhur, mamaja e tij tregoi se çfarë ndodhi atë ditë: ‘’Vdekja e Archie-t ishte shokuese për të gjithë. E dëshiroja aq shumë, jo vetëm unë, por edhe bashkëshorti dhe tre fëmijët e tjerë. Akoma nuk mund ta besoj atë që ka ndodhur. Dua të mbyll sytë dhe të mendoj që e gjitha kjo, është një ëndërr e keqe.
Që prej kthimit në shtëpi nga spitali, Archie ka fjetur gjithmonë në djepin e tij. Im shoq u zgjua në orën 01.30 të natës pasi ai po qante me dënesë dhe nuk dinim si ta pushonim. E morëm në shtrat, pa ditur se do të na zinte gjumi. Kur u zgjuam në mëngjes, ai nuk po merrte frymë. E çuam menjëherë në spital, por ishte e kotë. Mjekët na thanë se nuk mund të bënin më asgjë, Archie nuk ishte më me ne.’’-përfundon ajo. Sipas statistikave rreth 2300 foshnja vdesin në Mbretërinë e Bashkuar çdo vit si pasojë e SIDS./BURIMI ”DAILY MAIL”