Detaje të tjera shokuese vijnë nga krimi makabër që ndodhi një vit më parë, ku burri mbyti me litar bashkëshorten e tij të moshuar.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë natës së 3 janarit, ku Namik Velaj akuzohet se vrau bashkëshorten e tij Vreke Velaj, kur ndodheshin të vetëm në banesën e tyre në Patos.
Prokuroria e Krimeve të Rënda konstatoi se pasi gruaja ndërroi jetë, Velaj për të krijuar alibi, thirri edhe mjekun e urgjencës, i cili nuk arriti të konstatojë shenja dhune, por doli në përfundimin se gruaja kishte vdekur nga hiper-tensioni.
Në këto kushte i akuzuari e veshi gruan me rrobat e saj më të mira dhe i mbuloi qafen me një shall, që ajo e ruante si kujtim nga vajza që nuk jetonte më.
Velaj iu kërkoi edhe të afërmve të gruas të mos ia preknin shallin që e kishte amanet nga e bija, duke u përpjekur kështu të mbulojë shenjat e krimit të tij.
Faktikisht, vëllezërit e Vreke Vulajt arritën të pikasin poshtë shallit hematoma të zeza të shkaktuara nga litari.
Pas kësaj të afërmit e gruas denoncuan në polici dhe menjëherë nisën hetimet, të cilat konkluduan se 74-vjecarja ishte vrarë nga bashkëshorti. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë caktoi per 75-vjecarin masën e sigurisë “Arrest në Burg” për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Motivet e ngjarjes së rëndë mbeten ende të paqarta.
Për mjekun Ilir Tanku mësohet se ka nisur procedimi penal për “Shpërdorim detyre”, pasi në kundërshtim me ligjin ai si mjek urgjence plotësoi kartelën e vdekjes. Për të është dhënë masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”, ndërsa i është hequr e drejta e ushtrimit të profesionit.