Ditën e sotme në Gjakovë do të ketë një protestë për shkak të ndërhyrjes që planifikohet të bëhet pranë kullës së Sylejman Vokshit. Me moton “Mos e prek kullën”, shoqëria civile bën thirrje që të mos ketë ndërtesa shumëkatëshe në afërsi të Kullës që është një pasuri historike e zonës.
Sipas protestuesve nëse do të ndërtohen kulla shumëkatëshe, kjo ndërtesë historike rrezikon të shembet dhe të prishet.
Në një lidhje për Fax News Mimoza Shala ish-luftëtare e UÇK-së, dhe një prej aktivisteve në mbrojtje të Kullës së Sylejman Vokshit u shpreh se si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, po udhëhiqemi nga njerëz që parësore kanë interest personale.
“Fatkeqësia jonë është se po udhëhiqemi nga njerëz që për përfitime personale janë të gatshëm që të shembin çdo gjë. Nuk ka qytetarë që nuk e ka prekur këtu çështja e shembjes së Kullës, ne duhet të dalim në rrugë dhe të mbrojmë vlerat tona”, u shpreh Shala për Fax News.
Shala tha se protestat do të shtrihen në disa qytete të Kosovës, dhe do të mbështeten dhe nga partitë e Opozitës, kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje.
‘’Pranë Kullës së Sulejman Vokshit ka qenë dhe shkolla e parë shqipe në Gjakovë, si dhe katër monumente të tjera me vlerë historike. Nuk mund të na pushtojnë për hir të buxhetit komunal, nuk janë gjetur asnjëherë fonde për rikostruksionin e kësaj kulle”, tha më tej Shala për gazetaren Armela Ferko.
(E.K/FAXWEBA.AL)