Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar në lidhje me deklaratën e ambasadorit të SHBA në Tiranë, Donald Lu, i cili i ka drejtuar një apel politikanëve shqiptarë që të mos kritikojnë SHBA dhe BE por të angazhohen në reformën në drejtësi.
Manjani ka theksuar se askund në Europë as SHBA nuk nxitet e as mbështetet shkelja e Kushtetutës.
“Oj, “mos na kritikoni ne”- thotë zotëria. Po mo po, për sa kohë bëheni pjesë e punëve tona, do kritikoheni njësoj siç bëjmë për veten! Çdo shoqëri demokratike reagon kur shkelet ligji dhe kapet drejtësia. Askund në Europë as SHBA nuk nxitet e as mbështetet shkelja e Kushtetutës!”, shprehet Manjani në Twiter.
Donald Lu në deklaratën e tij është shprehur se politikanët shqiptarë duhet t’i japin fund ankesave dhe t’i futen punës. Sipas ambasadorit, në vend që politikanët të fajësojnë të huajt, Shtetet e Bashkuara ose Bashkimin Evropian, për problemet që kanë krijuar vetë, do të ishte mirë të kishin dialog politik me njeri tjetrin dhe të punonin bashkë për të zbatuar reformën në drejtësi, përfshi plotësimin me anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit. (J.V/Faxweb)