Lëndimi i efektives Ina Nuka ka rikthyer edhe njëherë në skenë përplasjen mes gazetarëve Mero Baze dhe Eni Vasili, pothuajse siç ndodhi edhe në rastin Xhisiela.
Baze duke iu referuar mënyrës sesi Vasili trajtoi rastin, ku vuri theksin te bukuria e vajzës, thotë se policija edhe mund të vritej sa kohë që ishte në krye të detyrës, dhe nuk ka pse të specifikohet as gjinia e saj.
Sipas tij dëmi do të ishte i njëjtë edhe në rast se Ina do të ishte e shëmtuar, apo të njëjtin fat ta kishte pësuar dhe ndonjë koleg mashkull. Baze shkon më tej duke thënë se Vasili u fsheh pas bukurisë së Inës, për të fshehur problemin real të këtij rasti, që ishte etiketimi nga ish-kryeministri Berisha si ndrikull i evektives.
‘’Eni Vasili, e cila në përpjekje për t’u bërë solidare me policen e masakruar, gati u përlot nga fakti se ajo është e bukur dhe nuk mund të vritej. A thua se gjahtarët kishin vrarë një sorkadhe dhe ishte mëkat, pasi ajo po perëndonte sytë me lotët që i rridhnin nga dhimbja.
Në fakt, debati i djeshëm mbasdite për çdo gazetar ishte fakti, se ajo policia e bukur, u quajt “ndrikull” nga Sali Berisha dhe Eni besoj e di kujt i thotë “ndrikull” Sali Berisha. Zakonisht vajzave të bukura që i identifikon si mantenuta”, shkruan mes të tjerash në shkrim Baze.
Pjesë nga shkrimi i Bazes:
Ajo që ishte e shëmtuar në gjithë betejën e baltës dhe dhunës së djeshme mediatike, ishte nxitimi për të gjetur një arsyetim për t’u bërë solidar me Inën, që të mos kishte lidhje me arsyen e dhunës.
Dhe ishin dy raste të pështira. E para, një aktiviste e shoqërisë civile S.A., nga këto OJQ, që jetojnë për të rritur rolin e femrës në shoqëri, e cila në fakt nuk justifikonte dot dhunën mbi Inën, dhe akuzonte qeverinë që e kishte çuar një police femër në protestë.
Ndonjëherë njeriu gjendet keq dhe nuk e mbron dot atë që do dhe, në këtë rast ndoshta kjo aktivistja është e dëshpëruar që nuk e mbron dot aktin e dhunës mbi policen, por e keqja nuk është se Ina qëlloi police femër.
OJQ ka gjithë jetën që paguhen të na mbushin mendjen që femrat janë të barabarta me burrat dhe në rastin konkret, kur Ina ka pranuar të bëhet police, ka pranuar të jetë dhe përballë turmave.
Dhe nuk ka diskriminim më të madh për Inën, se sa një gjoja feministe, të gjejë shkakun e dhunës tek fakti që ajo është femër, pa thënë asnjë fjalë kundër dhunuesve.
E dyta, është Eni Vasili, e cila në përpjekje për t’u bërë solidare me policen e masakruar, gati u përlot nga fakti se ajo është e bukur dhe nuk mund të vritej. A thua se gjahtarët kishin vrarë një sorkadhe dhe ishte mëkat, pasi ajo po perëndonte sytë me lotët që i rridhnin nga dhimbja.
Në fakt, debati i djeshëm mbasdite për çdo gazetar ishte fakti, se ajo policia e bukur, u quajt “ndrikull” nga Sali Berisha dhe Eni besoj e di kujt i thotë “ndrikull” Sali Berisha. Zakonisht vajzave të bukura që i identifikon si mantenuta.
Eni dhe mund të mos përlotej, se Ina police është dhe mund të plagoset. Bile larg qoftë, dhe mund të vritet në këtë vend të çmendur. Por ajo në të gjitha rastet, ose mbrohet, ose sulmohet si police, por jo si e bukur apo e shëmtuar.
Si të bukur e gjykoi Sali Berisha, nuk kishte nevojë dhe për lotët e një gazetareje, që e bën dhe më vulgare dramacitetin e ngjarjes.
Ina është një police në krye të detyrës, një profesion që e ka zgjedhur vetë, dhe që do përballet me gjithë rreziqet që ka ai profesion. Nëse ajo do ishte mashkull, apo femër e shëmtuar, nuk e di çfarë do thonin këto dy zonjat për të.
Por di çfarë nuk do thonin. Atë që nuk thanë dhe dje, për të vënë gishtin tek problemi.
Dhe problem i protestës së djeshme nuk ishin as njerëzit e zemëruar, dhe as policët që i mbijetuan dhunës.
Problemi ishte ai plaku që kërkonte gjak dhe që futi njerëz në turmë të hidhnin kapsolla luftarake. Çdo gjë tjetër që mund të ndodhte, çdo përballje e policëve me protestuesit, do të ishte normale.
Por kur nuk ke kurajo të thuash kush kërkonte gjak në protestë, mund dhe të mos flasësh, dhe nuk ke pse fshihesh, as pas fustanit të Inës dhe as pas bukurisë së saj. Nuk janë ato problemi. Problemi është ai që do gjak.
(E.K/FAXWEB.AL)