Kryeministri Edi Rama ka reaguar para pak minutave në lidhje me vendimin e opozitës, të cilët propozuan mosbindjen civile.
Rama shkruan se PD kur ishte në qeveri e bëri tenderin e rrugës me pagesë deri në 9 euro, dhe pasi dështuan, i vunë tani zjarrin ‘’patriotik”. Kryeministri thotë se e gjitha kjo bëhet për t’i shpëtuar drejtësisë.
“Kur ishin në qeveri e bënë tenderin e pagesës së rrugës 8-9EU! Dështuan.Tani i vunë zjarrin “patriotik” e duan ta përdorin Kukësin si shishe benzine për të djegur rrugën europiane të Shqipërisë! Mjerë kush u beson rrugëhumburve pa atdhe që duan zjarr e kaos për t’i ikur drejtësisë!”, shkruan Rama.
Ndërkohë dje opozita e bashkuar propozoi mosbindjen civile, pas një takimi të gjatë në Selinë e Partisë Demokratike.
“Kemi patur një takim të zgjeruar dhe kemi dalë me një vendim unanim. Në krahë të qytetarëve shqiptarë, të njerëzve të thjeshtë që po vidhen e po poshtërohen nga një bandë kriminale në pushtet. Në krah të kuksianëve që iu grabit buka e gojës.
Në krah të shqiptarëve që po goditen nga taksat. Kush kujton se e lëshuam këtë kauzë pasi mbaroi debati parlamentar e ka gabim. Shqipëria është sot në prag humnere, shkaktar është Edi Rama që qeveris me bandat dhe banditët dhe një grusht oligarkësh që iu shet Shqipërinë copë-copë.
Mosbindja qytetare nis që këtë javë me refuzimin jo vetëm të taksës së Rrugës së Kombit por çdo takse që ka rritur Edi Rama. Që sonte nis organizimi nga opozita”, deklaroi dje pas mbledhjes Lulzim Basha.
(E.K/FAXWEB)
Discussion about this post