Të paktën një person është vrarë dhe tre janë plagosur në një sulm “masiv” me dronë gjatë natës në Moskë dhe rajonin e kryeqytetit, thonë zyrtarët lokalë. Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin thotë se 73 dronë që ishin nisur drejt qytetit u rrëzuan.
Pas sulmit, transporti me trena është pezulluar, ndërsa janë vendosur kufizime sa i përket fluturimeve nga aeroporti i Moskës. Sulmi vjen vetëm disa orë përpara një takimi midis përfaqësuesve nga SHBA dhe Ukraina në Arabinë Saudite, i fokusuar në përfundimin e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.
Në një postim në mediat sociale, guvernatori Vorobyev publikoi foto që supozohet se tregonin një nga apartamentet e dëmtuara dhe automjetet e djegura në atë që dukej si një parkim makinash në rajonin e Moskës. Ai tha se 12 persona, përfshirë tre fëmijë, duhej të evakuoheshin nga banesat e tyre të dëmtuara.
Ministria ruse e mbrojtjes raportoi më vonë se në total 337 dronë ukrainas ose u kapën ose u shkatërruan gjatë natës në Moskë dhe nëntë rajone të tjera ruse.
Ukraina nuk ka komentuar mbi këtë çështje. Gjatë natës, zyrtarët ukrainas raportuan sulme me dronë rusë në kryeqytetin Kiev dhe disa rajone të tjera. Nuk dihet nëse ka pasur viktima.