Kremlini ka thënë të mërkurën se Rusia do të japë përgjigje “adekuate” nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia lejojnë Ukrainës përdorimin e raketave amerikane me rreze të gjatë ATACMS, për ta goditur territorin rus, raporton agjencia “Reuters”. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në mënyrë të vazhdueshme i ka kërkuar Perëndimit lejen për t’i përdorur armët amerikane për ta goditur Rusinë.
Komentet e Kremlinit vijnë pas deklarimit të presidentit amerikan Joe Biden se administrata e tij është duke punuar për heqjen e kufizimeve të përdorimit të raketave amerikane nga Kievi. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u ka thënë gazetarëve se duket sikur “Washingtoni veçse ka vendosur t’ia lejojë Ukrainës përdorimin e armëve me rreze të gjatë për ta goditur Rusinë”.
Sipas tij, Moska do të jepte një përgjigje “të përshtatshme” nëse kjo do të ndodhte. Edhe nëse arrihet marrëveshja, Kievit do t’i duhej të presë disa muaj derisa SHBA-ja të merret me çështjet teknike përpara çdo dërgese.