Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Karin Keller-Sutter, ka pritur sot në takim homologen e saj nga Kosova Vjosa Osmani, me të cilën kanë diskutuar për marrëdhëniet ekonomike, marrëveshjen për tregtinë e lirë, çështje të emigracionit dhe projektet në fusha të rëndësishme në Kosovë.
Në një konferencë për media pas takimit, presidentja zvicerane ka deklaruar se vendi i saj do të vazhdojë të mbështesë Kosovën. Ajo përmendi edhe rolin e diasporës shqiptare në thellimin e raporteve ndërmjet dy vendeve mike.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka shprehur falënderimin e saj për mbështetjen e shtetit zviceran në fazat e shtete-ndërtimit, si dhe përmes pjesëmarrjes në misioni paqeruajtës të NATO – KFOR. Ajo përmendi edhe rolin e diasporës shqiptare për thellimin e marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Zvicër.
Duke folur mbi gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, e para e shtetit tonë ka përkujtuar se raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Parlamentit Evropian kanë dëshmuar se Serbia po kryen spastrim etnik.