Pas dëgjesës publike në kanionin e Holtës, Gramsh, ministri Klosi dhe ministrja Balluku u ndalën në një tjetër bashkëbisedim të hapur në fshatin Labinot Mal, në Elbasan, për të dëgjuar shqetësimet e banorëve për burimin ujor të zonës, që ata mendojnë se kërcënohet nga “HEC Labinot Fushë” shpk.
Ata u shprehën se janë ngritur grupe pune për të analizuar problematikat e shfrytëzimit të burimeve ujore.
Ministrja Balluku foli për rëndësinë e respektimit të kontratave që janë lidhur për krijimin apo zhvillimin e këtyre HEC-eve. “Shpesh ndodh, që duke vënë HEC-et në punë kanë ngelur fshatrat pa ujë vaditje, pa ujë të pijshëm dhe sidomos përsa i përket blegtorisë. Ne kemi ngritur grupe pune, AKBN-ja e cila ka tagrin për të monitoruar HEC-et, bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe me një grup të përbashkët nga Ministria e Mjedisit, kemi nisur punën për ti skanuar të gjitha këto HEC-e”, u shpreh ministrja Balluku.
Duke vënë theksin tek vëmendja e qeverisë për të dëgjuar qytetarët, ministrja Balluku siguroi se vendimet që do të ndërmerren në vijim nuk do të kenë asnjë kosto për buxhetin e shtetit. “Nuk do të prishim kurrë në mënyrë arbitrare kontratat, por nga ana tjetër jemi të predispozuar plotësisht për të mbrojtur të drejtat e banorëve kudo që ato ndodhen dhe për të ruajtur pjesën mjedisore e cila vitet e fundit ka marrë një rëndësi të veçantë edhe për vetë ju”, – tha Balluku.
Nga ana tjetër ministri i turizmit dhe mjedisit, Blendi Klosi deklaroi se ministria që ai drejton ka ngritur një grup pune, që po analizon të gjithë problematikën e shfrytëzimit të burimeve ujore në Shqipëri, për të mos lejuar në mënyrë kategorike përdorimin e tyre në dëm të mjedisit dhe qytetarëve.
“Ne jemi këtu për të dëgjuar opinionin tuaj, jemi këtu për të kuptuar vlerat që ka i gjithë ky burim ujor nga pikëpamja e natyrës dhe jo vetëm nga pikëpamja e jetës, por sa ndikon ai në jetën e gjallesave të kësaj zone, në veprimtarinë bujqësore, sa ndikon në pyjet e kësaj zone, si ndikon në gjithë gjallërimin e jetës këtu, sa ndikon në procesin e ujitjes, sa ndikon në jetën e komunitetit. Pra, ne duam të kuptojmë nga biseda me ju, nëse vendimmarrja që është marrë deri tashmë përsa i përket HEC-it a është e drejtë apo e gabuar.
Ne duam të kuptojmë nëpërmjet bisedës me ju sesa vlera ka që ne të gjejmë raportin e drejtë ku kemi mundësi për të zhvilluar industrinë dhe për të prodhuar energji të gjelbër, ku kemi mundësi që të mbrojmë mjedisin, natyrën dhe të dëgjojmë komunitetin”, tha ministri Klosi.
(F.GJ/FAXWEB.AL)