Moti i keq me reshje dëbore dhe ngrica është bërë shkak që gjashtë automjete të bllokohen tek “Ura e Topojanit” në Maqellarë.
Drejtuesit e këtyre automjeteve apelojnë për ndihmë, pasi kanë mbetur në mes të rrugës në të ftohtë.
“Po na mbarohet karburanti”, shtojnë ata.
Ndërsa banorët e zonës shprehen se nuk bëhet fjalë vetëm për 6 por për dhjetëra makina të bllokuara.
Aksi rrugor Peshkopi-Tiranë është i bllokuar në të dy kahet, si pasojë automjetet në Maqellarë qëndrojnë në rrugë prej disa orësh. Sipas raportimeve, në rrugë janë bllokuar edhe persona të sëmurë.
Ata po qëndrojnë në të ftohtë, në temperatura që arrijnë deri në -10 gradë celsius.
Në rrugën nacionale dëbora arrin në mbi 1 metër. Borëpastrueset kanë qenë nën funksion për pastrimin e rrugëve gjatë gjithë kohës. Por pavarësisht se rrugët pastrohen, era e fortë e shpërndan sërish borën në rrugë. (D.D/Shuplkaka)