Temperaturat e ulëta të ndjekura nga reshje bore të vazhdueshme kanë lënë pa energji elektrike Kukësin dhe rrethinat përreth.
Operatori i Sistemit të Transmetimit ka bërë të ditur se për shkak të kushteve të ashpra të motit linjat e transmetimit të energjisë elektrike në këtë zonë kanë pësuar defekt.
Në vijim të njoftimit të OST-së, sqarohet se gjatë punës në terren të vështirë për më shumë se 7 orë, një punonjës ka pësuar hiportermi. Ai po kurohet në spitalin e Kukësit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Në një rast u ballafaquam me kalimin në hipotermi të specialistit të linjave, Ramadan Hallaçi, 57 vjeç, mbi 25 vjet teknik linjash. Punonjës i Njësisë Operative Shkodër, pjesë e OST. Mbrëmë ishte në detyrë në brigadën e Kukësit, ku pasi riparoi pjesën e parë të linjës 110 kV Kalimash – Kukës të dëmtuar nga dëbora, vijoi punën për pjesën tjetër të linjës, mbi 20 km të gjatë. Pas më shumë se 7 orë punë në shtyllë dhe në terren të vështirë, në zonën e Qaf Malit, me temperaturë -9* celsius, punonjësi pësoi hiportermi. Aktualisht po kurohet në spitalin e Kukësit dhe është jashtë rrezikut për jetën. Theksojmë se nga ana e OSHEE, është e pamundur të ndërhyhet për riparimin e defekteve, pa riparuar më parë OST linjat e tensionit të lartë.”, citohet në deklaratën e OST-së. (XH.A/SHUPLAKA)