Menaxheri i projekteve për mirëmbajtjen e rrugëve, Klodian Sava tha në studion e Fax News se është ngritur grupi i punës për evidentimin e problemeve në të gjitha akset rrugore që kanë patur probleme për shkak të temperaturave të ulëta apo reshjeve të dëborës.
“Prezenca e akullit në disa akse ka qenë evidente por përpjektjet dhe ndërhyrja e autoriteteve me anë të hedhjes së kripës apo përdorimin e mjeteve përkatëse ka bërë të mundur hapjen e rrugëve dhe mundësimin e sigurisë rrugore” – u shpreh ai.
Sipas tij, sot të gjitha akset rrugore kombëtare janë të kalueshme.
Sava tha se problematika kanë paraqitur kryesisht akset që shtrihen në lartësitë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit por me anë të hedhjes së kripës dhe punën e borëpastrueseve janë bërë shumë shpejt të kalueshme.
Ai theksoi se zona më e goditur nga moti i keq ka qenë pjesa jug-lindore e vendit.
Sava u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve, se duhet të përdorin zinxhir për makinat e tyre në rastet kur frekuentojnë rrugët që kanë problematika për shkak të reshjeve të dëborës.
I pyetur për bashkëpunimin midis ARRSH-së me Policinë e Shtetit, ai tha se ka patur një bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm midis tyre dhe kjo vijon edhe sot.
Lidhur me situatën që paraqitet në “Rrugën e Kombit”, Sava tha se ky aks është dhënë me koncension dhe për të kujdesen koncesionarët. Sipas informacioneve të tij nuk ka patur probleme.
“Sot e shohim të gjithë se akset rrugore jo vetëm nuk kanë shfaqur problematika por edhe kanë qenë të kalueshme pa zinxhir dhe kjo për shkak të menaxhimit të situatës nga ARRSH por edhe nga ata që kanë marrë përsipër mirëmbajtjen e disa rrugëve në vend,” – u shpreh Klodian Sava.
Ai foli edhe për ndërhyrjet që po bëhen në aksin rrugor Tiranë-Durrës duke thënë se, është një fazë punimesh e parashikuar të përfundojë për një muaj dhe këto punime sipas tij, po bëhën për të shmangur përmbytjet që kanë ndodhur gjatë të shkuarës në këtë aks.
Ai u shpreh se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka patur një koordinim shumë të mirë me Bashkinë e Tiranës, më OSHE-në etj.
I pyetur në lidhje me mbjelljen e palmave përgjatë autostradës dhe ndikimit të tyre në përmbytjen e saj, Sava u shpreh se në informacionet që ai ka, mbjellja e tyre nuk ka asnjë lloj ndikimi në përmbytjet e mëparshme të këtij aksi.
Ai u shpreh e përmbytjet e vitit të kaluar në këtë aks kanë ndodhur si pasojë e turbinave katërfish më të vogël se sa nevojiteshin realisht.
(F.GJ/FAXWEB.AL)