Prokuroria e Krimeve të Rënda ka thirrur dy herë brenda ditës së djeshme motrën e Enver Stafukës, shkuan një portal online.
Fitnete Stafuka është thërritur që në mëngjes e më pas edhe në mesditë për të dhënë shpjegime në lidhje me pretendimet dhe emrat e cituar prej saj si të implikuar në rrëmbimin e të vëllait dy vite më parë, në qendër të qytetit të Fushë-Krujës. E gjithë kjo pas një interviste të dhënë për një të përdtishme.
Mësohet se Fitnete Stafuka është pyetur me hollësi rreth ballafaqimit që ka pasur me Durim Bamin në lidhje me zhdukjen e vëllait të saj. Gjithashtu, hetimorët e kanë pyetur me detaje edhe në lidhje me pohimin e Bamit tek ajo për një atentat të kryer ndaj Shullazit.
Gjithashtu, Fitnete Stafuka është pyetur rreth pretendimeve që ka në lidhje me autorët e mundshëm të rrëmbimit të të vëllait, çfarë dinte në lidhje me aktivitetet e tij dhe nëse ai i kishte ngritur ndonjë shqetësim apo i ka treguar asaj krimet e grupit të Durim Bamit. Thirrjen në Prokurori e pohoi dje edhe vetë Fitnete Stafuka.
Sipas saj, pas publikimit të intervistës së saj, Prokuroria e Krimeve të Rënda është vënë në lëvizje dhe prokurorët kanë kërkuar takim në orët e para të paradites me Fitnete Stafukën dhe sërish rreth mesditës është kërkuar një ritakim me të.
Gjatë takimit, asaj i është garantuar se strukturat e këtij institucioni do të verifikojnë të gjitha dyshimet që ka familja rreth identitetit të autorëve, por edhe zbardhjen dhe vënien para drejtësisë së autorëve ende të paidentifikuar, dy vite pas rrëmbimit në qendër të Fushë-Krujës. (J.V/Shuplaka)