Rasti i vetëvrasjes së 41-vjeçares në Sukth tronditi opinionin publik shqiptar. U bë me dije se ajo piu fotoksinë pas denigrimit të figurës së saj në rrjetet sociale, kryesisht TikTok.
Por për mediat ka qenë vëllai i së ndjerës dhe kushëriri i saj që kanë dhënë një version tjetër të ngjarjes. Sipas tyre, 41-vjeçarja dhunohej nga bashkëshorti, i cili më herët gjatë ditës së sotme u arrestua nga policia dhe po hetohet për këtë ngjarje. Madje në banesën e tij u gjet edhe një armë automatik dhe disa fishekë.
Vëllai shprehet se në 23 vite martesë, motra e tij nuk pa kurrë një ditë të bardhë dhe shton se në trupin e saj ka patur shenja dhune.
“Mos ia nxirrni fytyrën, mos ia rëndoni me rrjete sociale e me tiktok. Motrën ma vrau burri. Do t’i lutem shtetit shqiptar të zbardhi çështjen sepse nëse nuk do të zbardhet çështja… 23 vjet martesë, 23 minuta të bardha me atë burrë nuk i ka parë. Më 1 shtator erdha të shoh nënën se ka qenë sëmur erdha dhe e përqafova edhe më tha: Nuk i kam mirë punët me Xhemalin. Kur ke qenë në rregull me atë burrë i thashë. Një jetë të tërë me të nuk ka parë një ditë të bardhë me të. Nuk di gjë për TikTok nuk merrem me TikTok. Ka shenja dhune”, thotë i vëllai i 41-vjeçares.
Ndërsa kushëriri i tyre thotë se trupi i së ndjerës do të nxirret edhe një herë nga varri.
“Doktori ka thënë se nuk ka shenja dhunë, do ta nxjerrim edhe një herë nga varri”, shton kushëriri i tyre.
Sakaq, vëllai shprehet se djali i madh i motrës së tij i ka rrëfyer për problemet e çiftit dhe se si bashkëshorti ushtronte dhunë ndaj 41-vjeçares.
“Edhe çuni i madh ka pasur shenja. E ka kapur si me kap ndonjë leckë më ka thënë çuni i madh mua si dajë: E ka kapur mamin si leckë dhe e ka hedhur në makinë kemi shkuar në Durrës të vritemi. Ai edhe të shkojë në litar unë nuk ngopem, unë e di çfarë palaçoje burrë është ai është. Faleminderit shumë që keni ardhur. Pak respekt për ata fëmijë. Kanë ngelë jetimë”, u shpreh i vëllai.