Merkatoja e Partizanit po zhvillohet në mënyrë diskrete dhe drejtuesit po bëjnë të pamundurën që asnjë lajm që ka të bëjë me këtë proces të mos rrjedhë në kanalet mediatike. Përgjegjësi i afrimeve nga tregu i huaj është Luçiano Moxhi, i cili mësohet se ka vendosur se kush do të jenë lojtarët që ai do të sjellë te Partizani.
Thuhet se pjesë e paketës “Moxhi” është edhe një lojtar kamerunas. Për momentin nuk jepet identikiti i lojtarit, për të cilin thuhet vetëm se ka luajtur me kombëtaren U-21 të Kamerunit. Klubi ka nisur procedurat për pajisjen me vizë të lojtarit afrikan, i cili pritet që t’i bashkohet Partizanit në fillim të përgatitjeve për pjesëmarrjen në Ligën e Europës.
Përveç lojtarit kamerunas, flitet se sulmi do të jetë me gjak amerikanolatin, pasi priten bombera uruguaianë. Vetëm nga fillimi i javës tjetër mund të flitet më konkretisht për përforcimet e Partizanit të sezonit të ri, ku fillimisht kërkohet kalimi i tureve të para në Ligën e Europës.