Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare gjatë periudhës janar-shkurt 2017, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 189,943 me një rritje prej 33.45% krahasuar me periudhën janar-shkurt 2016. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.88% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 7.12%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.87% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.13% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar-shkurt 2017, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 884 milionë lekë, ose 70.71% më shumë se në periudhën janar-shkurt 2016.
Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-shkurt 2017 arritën rreth 1,425 milionë lekë, ose 21.95% më shumë se në periudhën janar-shkurt 2016.
Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-shkurt 2017, pati një rritje prej 26.28% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 23.20% krahasuar me periudhën janar-shkurt 2016.
Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-shkurt 2017 pati një ulje prej 4.55% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje e numrit të kontratave prej 2.88% krahasuar me periudhën janar-shkurt 2016.
Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-shkurt 2017, pati një rritje me 6.82% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-shkurt 2016. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 0.55%.
Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-shkurt 2017 arritën rreth 945 milionë lekë, 30.16% më shumë se në periudhën janar-shkurt 2016. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 50.47% krahasuar me periudhën janar-shkurt 2016.
Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-shkurt 2017, patën rritje me 33.05% kundrejt periudhës janar-shkurt 2016.
Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-shkurt 2017 siguruan mbi 434 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 78.70%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 10.84% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-shkurt 2017, vihet re një rritje prej 103.73% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një ulje me 31.64% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-shkurt 2016.
Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-shkurt 2017, arritën në rreth 224 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 30.81% në krahasim me periudhën janar-shkurt 2016.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-shkurt 2017, arritën rreth 169 milionë lekë, ose 18.34% më shumë se në periudhën janar-shkurt 2016.
Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-shkurt 2017 u rritën me 70.71% krahasuar me periudhën janar-shkurt 2016. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 364 milionë lekë, apo 41.19% të totalit të dëmeve të paguara bruto./ monitor
(XH.A/SHUPLAKA)