Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, miratoi sot marrëveshjen e huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimin e linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkeleda Muça prezantoi marrëveshjen e paraqitur në formën e pr/ligjit, teksa bëri të ditur se “ndryshimi konsiston në shtimin e vlerës së huas, të akorduar fillimisht nga BERZH-i nga 36 870 000 në 77 570 000 euro”.
Sipas saj, shtesa e huas, do të shërbejë për ndërtimin e tetë godinave të stacioneve hekurudhore dhe sistemimin e shesheve të jashtme përgjatë linjës ekzistuese Durrës-Tiranë dhe të linjës së re që do të ndërtohet për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, sipas të gjitha standardeve të zhvillimit të qëndrueshëm. Gjithashtu, do të financojë edhe shtesën e kostos së projektit, si pasojë e indeksimit të çmimeve të materialeve ndërtimore.
“Projekti i rehabilitimit të linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës së re hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës ka për qëllim ndërtimin e një linje të re për në Aeroportin e Tiranës edhe modernizimin e linjës ekzistuese Tiranë – Durrës, nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës hekurudhore në përputhje me standardet e BE-së të një rrjeti TEN-T, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe sigurisë së transportit hekurudhor të mallrave dhe udhëtarëve përgjatë këtij segmenti hekurudhor”, tha Muça.
Ajo vuri në dukje se, rehabilitimi i hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i nyjës së re drejt aeroportit të Rinasit, po vijon me ritme shumë të kënaqshme.
Muça tha se, “deri tani janë realizuar 80% e volumit të punimeve dhe projekti parashikon të përfundojë në gusht 2025”.