Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule në një konferencë për mediat, ka folur në lidhje me votën e diasporës.
Pasi ka vlerësuar interesin e lartë dhe numrin e lartë të aplikimeve për t’u regjistruar si votues të shqiptarëve të cilat jetojnë jashtë vendit, Dule ka folur edhe në lidhje me problematikat të cilat sipas tij ka procesi.
Dule u ndaj tek fakti që edhe pse asistenca është e mirëpritur, ekziston shqetësimi se mund të kthehet në objekt të korrupsionit zgjedhor.
“Dëshiroj të përshëndes ata që kanë nisur që në momentin e parë të regjistrohen me intensitet inkurajues.
Dëshiroj të shpreh urimin që procesi ë jetë sa më dinamik që deri në përfundim të tij të kemi një numër të konsiderueshëm emigrantësh që do të shprehin vullnetin e tyre për parlamentin dhe qeverinë e ardhshme.
Shpreh shpresën se procesi do të të vlerë e shtuar për dinjitetin dhe integritetin e votës, që janë të nëpërkëmbura në proceset zgjedhe që zhvillohen me prani fizike brenda vendit.
Nuk mund të le jashtë vëmendjes edhe shqetësimet e para në lidhje e procesin.
Ka nevojë për asistencë teknike.
Ka struktura shtetërore, KQZ që mund ta japë këtë asistencë.
Është e mirëpritur asistenca e kujtdo, nga të rinjtë, por është një cak shumë i brishtë që të kalohet vija e kuqe dhe nga asistencë teknike të kalohet në korrupsion zgjedhor.
Kemi parë ministra që në postimet e tyre të shihet si monitorohet asistenca teknike e organizuar nga partitë. Nëse ky proces vijon, rrezikohet të shndërrohet në instrument të shndërrimit të votës në objekt të korrupsionit zgjedhor”, tha ai.
I pyetur nga gazetarët, Dule foli edhe mbi koalicionet, ndërsa shtoi se vetë do të preferonte të kandidonte në qarkun që ka edhe më shumë influencë.
“Vijat e kuqe janë ato që përcaktohen nga vlerat e përbashkëta që ka një koalicion, që duhet t’i përgjigjen aktualitetit politik. Ajo që ka nevojë vendi nga opozita janë vlerat europiane që janë të mirëcaktuar. Kushdo që u shërben me devotshmëri këtyre vlerave është i mirëpritur. Ndryshe funksionon vetëpërjashtimi.
Primaret janë metoda më demokratike e njohur dhe e aplikueshme në vende t me demokraci më të avancuar.
Kur kemi një koalicion, disa pari, secila do të ketë primaret e veta”, tha ai.