Kemi dëgjuar shpesh-herë që policia godet grupe prostitucioni, për shkak se ato janë gjetur duke punuar në “Chat line” nëpër zona të ndryshme të vendit.
Por, ligji shqiptar ka mjaft mangësi përsa i përket këtyre veprave, sepse Kodi Penal i klasifikon këto veprime tek veprat penale “kundër moralit dhe dinjitetit”, ku flitet për prostitucionin, shfrytëzim të prostitucionit, trafikimin e femrave, Mbajtja e lokaleve për prostitucion, dhe Pornografia, por në asnjë rast nuk flitet për atë që mund të quhet “Prostitucion virtual”.
Duke marrë parasysh Kodin penal të Shqipërisë vërejmë që “Chat online” ekzaktësisht nuk është i ndaluar, por është bërë një klasifikim tek një vepër mjaft e rëndë siҫ është ajo e prostitucionit, me fjalë të tjera, një femër e cila punon si prostitutë në rrugë, ose personi i cili e detyron këtë femër të prostituohet përpara ligjit mund të kenë konsumuar një vepër penale të barabartë me një vajzë e cila është mbyllur në një dhomë dhe flet me kamerë me një amerikan, brazilian apo anglez.
Por, le të lëmë pak anash anën ligjore dhe t’i kthehemi kësaj pune.
Sa e lehtë është të gjesh një punë “Chat Line” në Shqipëri?
Nga një kërkim i thjeshtë i Dritare.net, është mjaft e lehtë për të gjetur një punë të tillë. Atë e gjen në facebook, e gjen në ëebe punësimi, e në shumë faqe të tjera interneti.
Punëdhënësit e kësaj kategorie duket se nuk kanë asnjë pengese, pasi ata publikojnë numrat e kontaktit dhe e-mailet përkatëse të tyre ku vajzat mund të interesohen për punë.
Aty vendoset edhe paga që në shumicën e rasteve është mjaft e lartë, madje më e lartë se shumica e punëve në vendin tone./ Dritare.net