Muri i ngritur nga serbët në Mitrovicë të veriut, pritet të rrënohet në muajin shkurt. Të paktën kështu është shprehur kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri.
Në një intervistë për “Radio Europa e Lirë”, Bahtiri tregon se është duke biseduar me zyrtarë të Bashkimit Evropian, por edhe me autoritetet lokale të Mitrovicës veriore lidhur me këtë çështje.
“Muri do të hiqet për arsye, se muret nuk kanë vend nëpër qytetet e Kosovës dhe Evropës, sepse unë mendoj se Kosova do të bëhet Evropë dhe muret e tilla nuk na dërgojnë askund. Ata që e kanë ndërtuar murin, ata duhet ta rrënojnë atë. Dhe, unë kam kërkuar nga kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, që ta bëjë një gjë të tillë, për arsye se është në interesin e tyre, por edhe në interesin e përgjithshëm që një herë e përgjithmonë të lirohet qyteti, të lirohet qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mos të sinjalizojmë barrikada por të sinjalizojmë paqe”, deklaron Bahtiri.
Muri i ndërtuar dhjetorin e kaluar nga serbët në afërsi të urës mbi lumin Ibër, është kundërshtuar ashpër nga autoritetet kosovare, të cilat e konsirojnë si të paligjshëm dhe ndarës. (D.D/Shuplaka)