Nismës së opozitës parlamentare për ndryshimin e Kushtetutës, me kërkesën për lista të hapura dhe heqjen e koalicioneve, i janë bashkuar sot dhe deputetët Elena Xhina dhe Lefter Koka, të dy vota të sigurta të Edi Ramës.
Në mënyrë surprizë gjatë ditës së djeshme qendrimin pro listave të hapura e pari dhe socialisti Adnor Shameti, duke shtuar zërat se kjo është një lëvizje nën rrogoz e Ramës, për të bllokuar Reformën Zgjedhore, dhe për të goditur koalicionin PD-LSI.
Kujtojmë se ditën e djeshme, dy deputetët e Ballit Kombëtar Artur Roshi dhe Besnik Troplini janë tërhequr nga firma e tyre që kërkonte listat e hapura dhe ndërhyrje në Kushtetutë, në mbështetje të nismëtarit të opozitës parlamentare Myslim Murrizi.
Në një shkrim në Facebook, Lefter Koka thotë se firmosi nismën e opozitës parlamentare për hapjen e listave duke sqaruar:
“Sapo kam firmosur nismën e opozitës parlamentare për reformimin e sistemit zgjedhor, me hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore! Ndihem i kënaqur që me firmën time i jam përgjigjur pozitivisht qindra qytetarëve durrsakë, të cilët më kanë kontaktuar dhe inkurajuar me telefonata dhe mesazhe , pas prononcimit tim të fundjavës së kaluar në mbështetje të deputetëve Murrizi, Musai, dhe kolegëve të tjerë.
Është absolutisht shumë e qartë, jo vetëm për mua, por për çdo deputet që kanë mbështetjen dhe votën e popullit, se sot qytetarët shqiptarë qartaz kërkojnë në një shumicë partiake, të drejtën legjitime për të shprehur preferencën për deputetët që do i përfaqësojnë. Deputetë pa vota dhe parti pa elektorat kemi pasur me bollëk prej 3 dekadash në parlament, që mblidhen si miza pas mjaltit të pushtetit, që i ofrojnë partitë e mëdha.
Mendoj se sot më shumë se kurrë është koha që peshoren elektorale si për individët apo partitë, ta përcaktojë populli dhe jo dëshirat dhe marrëveshjet e fshehura të partive të mëdha. Përsëris dhe theksoj deklaratën time, se marrëveshja e bërë jashtë dyerve të parlamentit për t’i lënë gjërat siç janë, nuk i vlen askujt dhe unë për asnjë moment nuk dakortësoj me të.
Eksperimenti i dështuar i koalicioneve të mullixhinjve për inat të vjehrrës së radhës, nuk duhet ricikluar asesi më tutje në dëm të pastër të demokracisë. Uroj që edhe kolegët e maxhorancës të dalin hapur në mbështetje të kësaj reforme reale. Nuk dua të besoj, se do i shkojnë deri në fund logjikës së gjetjes së kartonave jeshilë për të votuar dhe hapur rrugën një marrëveshje që nuk sjell asgjë të re.
Sepse as kartonat nuk do t’i gjejnë dot pa u hapur për reformen e kërkuar prej nesh dhe as popullin nuk kanë për ta gjetur dot të gatshëm për të vazhduar të votojë qorrazi listat 100% të mbyllura dhe koalicione si kuti të skaduara sardelesh!”(A.M/Faxweb.al)