Miliarderi postoi në rrjetin “X” mesazhin se drafti do të rrisë deficitin buxhetor të Shteteve të Bashkuara dhe do të mbysë amerikanët me borxhin “shkatërrues”, duke thelluar kështu fërkimet me kreun e shtetit.
Buxheti, që përfshin lehtësi të mëdha tatimore dhe rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve muajin e kaluar dhe aktualisht po shqyrtohet nga Senati.
“Turp për ata që e votuan”, tha Musk, duke theksuar se do të do të përpiqet t’i rrëzojë nga pushteti politikanët përgjegjës në zgjedhjet e mesmandatit, që mbahen vitin e ardhshëm.
Drafti ka mbështetjen e presidentit Trump dhe do të jetë një gur themeli në agjendën e mandatit të dytë të tij nëse miratohet në Kongres.
Musk u largua papritur nga administrata Trump javën e kaluar, pasi punoi 129 ditë për të ulur kostot si sekretar i Departamentit për Efikasitetin Qeveritar.
Komentet shënojnë përplasjen e tij të parë me Trump që prej largimit, kur e quajti planin financiar “zhgënjyes”.
Përfshirja e miliarderit në administratën amerikane mori fund më 31 maj, edhe pse Trump tha se “Musk do të jetë gjithmonë me ne për të na ndihmuar”.
Në formën aktuale, drafti parashikon rritjen e deficitit buxhetor, që është diferenca mes asaj që qeveria shpenzon dhe të ardhurat që grumbullon, që në vitin e ardhshëm fiskal pritet të jenë rreth 600 miliardë dollarë.