Mustafa Nano, edhe këtë herë nuk kishte sesi mund të ishte kundër qëndrimit që mbajti qerveria Rama në rezolutën e OKB-së, kundër SHBA-ve. Në një analizë të tij botuar ditën e djeshme, Nano gjen si arsye për votën kundër SHBA-ve faktin se vendi ynë është në shumicë mylimane.
Po ashtu analizti është i bindur se ndaj nesh, dhe të gjitha vendeve që votuan kundër nuk do të ketë asnjë lloj mase ndëshkimore nga SHBA ashtu siç flitet në media.
”Përveç kësaj, ne jemi një vend me shumicë myslimane, dhe do të kishim lënë nam e shkuar namit nëse do të veçoheshim nga bota që, në instancë të fundit, po vihej në mbështetje të të drejtave të një vendi mysliman që ende nuk është shtet, Palestinës. Më tej, ne jemi vend anëtar në Konferencën Islamike. E keni harruar këtë gjë? Mos e harroni. Jemi ende vend anëtar i kësaj Konference, në të cilën nuk do duhej të ishim futur e prej së cilës do duhej të kishim dalë”, shkruan mes të tjerash Nano.
SHKRIMI I PLOTË I MUSTAFA NANOS:
Ngjarja dihet tanimë: SHBA-të morën vendimin që ambasadën e tyre në Izrael ta zhvendosin në Jeruzalem. Ishte një vendim që në letër ekzistonte prej dy dekadash, dhe Donald Trumpi nuk është se bëri ndonjë shpikje të vetën apo iu fut ndonjë aventure të pamendueshme. Ai thjesht u tregua më me këllqe (apo më mendjekapsollë, do thoshte dikush) se paraardhësit e tij për të vënë në jetë një vendim të Kongresit amerikan. Me këtë duhet thënë që ky vendim është një vendim amerikan. E ishte për këtë arsye që zërat kritikë brenda SHBA-ve ishin të paktë e të mekur (tek-tuk ndonjë anëtar i kongresit, demokrat, dhe ndonjë kolumnist).
Si për të ilustruar konsensusin amerikan rreth kësaj çështjeje, mjafton të themi se këto dy ditë, teksa në të gjitha gazetat e botës janë publikuar komente e opinione mbi fatin e Jeruzalemit, në shtypin amerikan ka patur pothuajse heshtje. Në rubrikën e opinioneve në të përditshmet Neë York Times dhe Ëashington Post ka patur lloj-lloj shkrimesh, por jo shkrime për këtë çështje.
Në këto gazeta është raportuar ngjarja, por nuk është shoqëruar me komente. Analistët amerikanë janë marrë më së shumti me paketën fiskale që u miratua në Kongres, e që vetë Trumpi e cilësoi si “uljen më të madhe të taksave në historinë e SHBA-ve”; dhe me çështje të tjera “rutinore”, siç është ajo e Koresë së Veriut, Harvey Ëienstein-it, Rusisë, hetimit mbi rolin e kësaj të fundit në fitoren elektorale të Trumpit etj. etj.
Është pak e çuditshme që amerikanët i kushtojnë pak vëmendje faktit që Donald Trump është duke e tronditur nga themelet, asëll-asëll duke e shkallmuar politikën e jashtme amerikane. Dhe ky shkallmim nuk ka të bëjë me vendimin mbi Jeruzalemin. Ka të bëjë me sjelljen e mëpasshme. Nikki Haley, ambasadorja amerikane në OKB, reagoi në stilin trump-ian pasi Këshilli i Sigurimit vendosi për të mbledhur Asamblenë e përgjithshme për të diskutuar mbi rezolutën e përgatitur nga Egjipti, në të cilën u kërkohej SHBA-ve të tërhiqeshin nga ky vendim dhe u bëhej thirrje vendeve të tjera të botës që t’i dilnin kundër këtij akti unilateral të diplomacisë së SHBA-ve.
Rezultati i votimit në Këshillin e Sigurimit ishte 14:1. Vendi i vetëm që votoi kundër rezolutës ishin vetë SHBA-të. Çfarë vetmie! “Ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë gjë”, iu tha ambasadorja Haley anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, ku përveç anëtarëve të përhershëm, si: Rusia, Kina, Britania e Madhe, Franca, bëjnë pjesë edhe Italia, Suedia e Ukraina nga Europa, Japonia e Kazakistani nga Azia, Bolivia e Uruguai nga Amerika e Jugut, dhe Egjipti, Senegali e Etiopia nga Afrika.
Pas kësaj, Nikki Haley u shkruajti një letër 180 vendeve anëtare të OKB-së (nga 193 që janë gjithsej), në të cilin ishin të qarta tonet kërcënuese. “Unë do të shoh mirë se cilat vende do votojnë në favor të rezolutës; Presidenti më ka kërkuar që t’i raportoj atij mbi këtë gjë”. E pasoi vetë Presidenti: “Lërini të votojnë si të kenë qejf. Nëse votojnë kundër nesh, asnjë e keqe nuk do na vijë; thjesht do kursejmë ca miliarda dollarë që i japim si ndihma nëpër botë” (për dijeni, vitin e kaluar, Egjipti e Jordania morën prej SHBA-ve më shumë se një miliard dollarë ndihmë secila). Me fjalë të tjera më të varfra, SHBA-të ishin duke iu thënë të gjithëve: “Pa provojeni njëherë të votoni kundër nesh”.
Shqipëria e provoi. Votoi kundër. Ishte një nga 128 vendet që bënë të njëjtën gjë (35 vende abstenuan, 21 vende nuk morën pjesë në votim, 9 ishin kundër rezolutës). Bëmë mirë? Apo bëmë keq? Në fakt, nuk ka qenë një vendim i lehtë. Shqiptarët nuk është se thjesht u janë në borxh SHBA-ve. Jo, ka edhe vende të tjera që i janë në borxh superfuqisë së vetme të botës. Problemi është se ne jemi në një raport varësie jetike me ta.
Nëse vëmendja amerikane na ikën, këtu nuk dihet se si mund të venë punët. Sigurisht, janë vendet e Europës që na monitorojnë, është BE-ja ku ne duam të anëtarësohemi, por të gjithë e dimë se Brukseli nuk e ka ndikimin e Ëashingtonit. Ju kujtohet ngërçi politik para zgjedhjeve? Erdhën shumë emisarë nga Europa, emra të njohur, të rëndësishëm. Angela Merkeli dërgoi zëvendësin e vet. Por në fund, ngërçin e zgjidhi Hoyt Brian Yee, që në administratën e lartë amerikane është vrima e fundit e kavallit: Zv.ndihmësi i sekretarit të shtetit për çështjet europiane e euroaziatike. Për të patur një ide më të qartë mbi peshën e tij, po ju sjell edhe një fakt tjetër: Sapo është emëruar ambasador i SHBA-ve në Shkup.
Siç shihet, është një diplomat amerikan i sërës së dytë, ndoshta të tretë. Dhe fuqia e tij për të zgjidhur krizën shqiptare nuk buroi prej statusit zyrtar të tij, por prej faktit se në emër të kujt fliste. Ai fliste në emër të Departamentit të Shtetit. Është aq i madh ky ndikim amerikan në Shqipëri, sa nuk do ishte e tepërt të thuhej: Mos na lëntë Zoti pa Amerikën! Por….
…. Medalja ka edhe një anë tjetër. Vendimi Donald Trumpit është i gabuar. Tani, të kuptohemi, mbi bazën e rregullave dhe të logjikës së real-politikës, vendeve si Shqipëria nuk u takon, më saktë nuk u lejohet, që të kenë opinione e qëndrime të tyret mbi çështje të nxehta të politikës ndërkombëtare. Pastaj, në gjëra të tilla nuk mund të flitet gjithnjë me siguri matematike. Por në këtë mes nuk është puna se ne mendojmë që SHBA-të janë duke bërë një gabim.
Është pothuajse e gjithë bota që është me mendimin se vendimi amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit është dramatikisht i gabuar. Dhe kështu, çështja ndërlikohet. Ne nuk mund të ndaheshim nga vendet e Europës, prej të cilave asnjë nuk votoi kundër.
Flitej se do ta bënin këtë gjë Republika çeke dhe Hungaria, por edhe këto in extremis adoptuan një qëndrim të pabujshëm: abstenuan. Siç bënë edhe Kanadaja, Australia, për të cilat gjithashtu besohej se do votonin kundër rezolutës. Ato që votuan kundër (përveç SHBA-ve vetë dhe Izraelit) ishin vende krejt të panjohura, emrat e të cilave më shumë sesa për emra vendesh mund të merren gabimisht prej shqiptarëve për emra ilaçesh apo parfumesh: Nauru, Palau etj.
Përveç kësaj, ne jemi një vend me shumicë myslimane, dhe do të kishim lënë nam e shkuar namit nëse do të veçoheshim nga bota që, në instancë të fundit, po vihej në mbështetje të të drejtave të një vendi mysliman që ende nuk është shtet, Palestinës. Më tej, ne jemi vend anëtar në Konferencën Islamike. E keni harruar këtë gjë? Mos e harroni. Jemi ende vend anëtar i kësaj Konference, në të cilën nuk do duhej të ishim futur e prej së cilës do duhej të kishim dalë.
Jo sepse atje bëjnë pjesë vend myslimane, por sepse kjo organizatë ka si qëllim primar të vetin “të frymëzohet nga, e të promovojë, vlerat e larta islamike”. Karta (statuti) i kësaj organizate fillon me fjalët: In the name of Allah…. (Në emër të Allahut….). Mirëpo ne jemi ende në këtë Organizatë, ku bën pjesë edhe Turqia. Prej kësaj të fundit, gjithashtu, nuk mund të ndaheshim në një rast të tillë. Erdogani është ai që është, por Turqia është një aleat i yni strategjik.
Ç’është e vërteta, nuk ia kemi parë hairin për ndonjë gjë, duke përjashtuar xhaminë e madhe në mes të Tiranës, apo xhami të tjera të ndërtuara gjithandej, por ata janë me hir, me pahir aleati ynë historik, diplomatik, natyral. “Baba” Erdogani do ishte tërbuar sikur ne të votonim kundër rezolutës. Në fund, vota jonë nuk është se do t’u shërbente shumë SHBA-ve. Nuk është se ishte një votë që do ndante shapin nga sheqeri.
Nuk është se amerikanët ishin vënë në kërkim të një vote që atyre u duhej se s’bën, dhe ne ua refuzuam. Nuk ishim as në situatën, në të cilën po merrej një vendim që për amerikanët do të ishte detyrues. Jo, miratimi i rezolutës nuk i detyron SHBA-të për asgjë. Duke qenë kështu, nuk është çudi që amerikanët vetë, për të mos vënë në pozitë të vështirë shumë aleatë, t’u kenë dhënë atyre heshturazi “lejen të mos ndahen nga bota”. Me këtë shpjegohet, ndoshta, abstenimi i Kanadasë e Australisë.
Siç shihet, peshorja anon nga “po”-ja për rezolutën. Është një “po” që nuk na rrezikon për asgjë. Është një “po” që me siguri është kuptuar nga amerikanët. Kuptohet, nëse kanë patur nge, e dëshirë, ta vënë re që ne kemi votuar “po”.