Kryeministri i vendit, Isa Mustafa,në një intervistë për Telegrafin ka treguar se procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë ka hyrë tashmë në fazën përfundimtare, duke theksuar se në këtë fazë ka hapësirë që pala kosovare të jetë më gjithëpërfshirëse, të ketë përfaqësues të opozitës, të shoqërisë civile dhe që të konkludohet në një të ardhme të afërt.
Gjatë kësaj interviste kryeministri Mustafa ka folur edhe për propagandën e vazhdueshme të Serbisë se “Kosova po përgatitet për luftë”, duke thënë se kjo është në shpërputhje me realitetin. Po ashtu Mustafa ka folur edhe për ndërtimin e të ashtuquajturit “muri i ri” në veri të Mitrovicës, për politikën e brendshme, për zgjedhjet e parakohshme dhe Demarkacionin me Malin e Zi.
-Cili është komenti juaj lidhur me propagandën e vazhdueshme të Serbisë se Kosova po përgatitet për luftë?
Kryeministri Mustafa: Mund të them se propaganda mediale në Beograd karakterizohet nga një shpërputhje e paparë me realitetin. Është e çuditshme deri në çfarë nivelesh mund të arrijë përpjekja për të bërë lajm, duke mos u shërbyer me asnjë argument. Megjithatë, ajo çfarë mund të them është se të ashtuquajturat ‘Lajme të Rreme’, të njohura në anglisht si ‘Fake News’ që janë bërë aktuale në botë së fundi, në disa medie të Beogradit kanë traditë dhjetëra vjeçare dhe nuk duhet të merremi seriozisht me to. Bile, miqësisht i ftoj edhe disa media tonat, që të mos e trajtojnë me prioritet të madh dhe të mos i konsiderojnë si “barometër i së vërtetës” deklaratat e disa zyrtarëve të Beogradit, siç ka ndodhur në disa raste së fundi.
Ajo që mund të them është se Republika e Kosovës është modeli më i mirë rajonal dhe më gjerë i shtetit demokratik, i cili ofron të drejtat më të avancuara si dhe siguri të plotë për komunitetet jo shumicë. Institucionet tona janë të përkushtuara për dialog më të gjithë fqinjët, për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Republika e Kosovës, po ashtu, po forcon çdo ditë e më shumë shtetësinë, sovranitetin, subjektivitetin ndërkombëtar si dhe institucionet e saj në kuadër të rrugës integruese euroatlantike, në partneritet me SHBA-në dhe BE-në.
-Muri në veri u rrëzua, mirëpo u tha se po ndërtohet një “mur i ri”. A ka hapësirë këtu për shqetësim se Serbia nuk do ta respektojë marrëveshjen e arritur?
Kryeministri Mustafa: Ajo që thuhet, siç e përmenda më parë, është shpeshherë në shpërputhje me realitetin. U tha që treni hyn në Kosovë, por nuk hyri. Bile, pati që kërkuan dorëheqje “pse hyri treni”! U tha që muri nuk rrëzohet, por u rrëzua. Po thuhet që po ndërtohet një mur i ri, por nuk është e vërtetë. Andaj, unë preferoj të flas për atë që po ndodhë, dhe jo për atë që po thuhet. E ajo që duhet të ndodhë është se sipas planit, për të cilin janë pajtuar ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, aty nuk do të ndërtohet mur, por do të ndërtohet një shesh për këmbësorë, me disa pjesë përcjellëse, të cilat do të jenë plotësisht në përputhje me ligjet dhe praktikat e ndërtimit të shesheve.
Ndërkaq, sa i përket pyetjes se a do ta respektojë Serbia këtë marrëveshje, siç keni pasur mundësi që të informoheni në detaje gjatë ditëve të kaluara, ne në asnjë rrethanë nuk kemi bërë marrëveshje me Serbinë për këtë çështje. Ne kemi biseduar me kryetarin e Mitrovicës së Veriut dhe pjesëtarët e komunitetit serb në Kuvend dhe në Qeveri të Kosovës, të cilët janë zgjedhur me votat e qytetarëve, për zgjidhjen ligjore të kësaj çështje. Kanë qenë prezent edhe përfaqësuesit ndërkombëtar, ata të Zyrës së BE-së dhe Ambasadori i SHBA-së. Pra, çështja e murit ka qenë çështje e brendshme e Kosovës, e zgjidhur përmes bisedash ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale të Kosovës, me përkrahjen evidente të partnerëve ndërkombëtarë.
– Po flitet se do të ndryshojë formati i dialogut. A do të jetë Presidenti Thaçi ai që do të marr në duar timonin e bisedimeve me Serbinë?
Kryeministri Mustafa: Përtej përfoljeve, mund të them se kjo nuk është çështje e njëanshme e Kosovës. Pra, formati i dialogut do të jetë rezultat i vendimeve që do të merren në bashkëbisedim me partnerët të BE-së dhe në përputhje me dinamizmin e këtij procesi.
Unë mendoj se kemi hyrë në fazën përmbyllëse të këtij procesi të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe me praninë e domosdoshme të SHBA-ve. Vlerësoj se në këtë fazë ky proces duhet të jetë shumë më dinamik, me afate dhe caqe më të qarta. Ka hapësirë që pala jonë të jetë më gjithëpërfshirëse, të ketë përfaqësues të opozitës, të shoqërisë civile dhe që të konkludohet në një të ardhme të shpejtë.
– Të kthehemi pak tek politika e brendshme. Si po shkojnë punët brenda koalicionit PDK- LDK? Ditëve të fundit sërish janë paraqitur deputetë të PDK-së që kërkojnë prishje të koalicionit. Cili është komenti juaj? A pritet të ketë riformatim të Qeverisë?
Kryeministri Mustafa: Unë mendoj se koalicioni qeverisës është rezultat i votës së qytetarëve, në përputhje me interesat e vendit dhe me vullnetin e subjekteve politike, pjesë të saj. Pra, ky koalicion as nuk është krijuar për t’ia bërë qejfin personave të caktuar, e as nuk mund të prishet për shkak të “analizave”, interesave, pakënaqësive apo dëshirave të individëve.
Kjo Qeveri ka përmbyllur MSA-në, ka bërë reforma të mëdha ekonomike, ka shënuar rritjen ekonomik më të lartë në regjion për dy vite rresht dhe Buxhet 2 miliardë euro, ka zgjidhur pas 17 vjetësh çështjen e Trepçës dhe çështjen e veteranëve, uli papunësinë nga 35% në 26%, rriti pensionet deri në 70%, rriti asistencën sociale 25%, plotësoi kriteret dhe mori rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave, krijoi kushte që Kosova të ecë përpara në anëtarësimin në UEFA dhe FIFA, bëri të mundshme pajisjen me Kod Shtetëror Telefonik, u ballafaqua me sfidat e brendshme dhe të jashtme, që po e lufton me çdo mjet korrupsionin dhe krimin e organizuar… Andaj, para se t’ia bëjmë qejfin individëve të caktuar në partitë tona, ne tani jemi të fokusuar në zhvillimin e mëtejshëm të vendit, në transformimin e FSK-së, në punësimin e qytetarëve, në rritje edhe më të madhe ekonomike, deri në 5%, e jo të merremi me gara elektorale të panevojshme që do t’i prolongonin këto procese zhvillimore për shtetin.
– Edhe opozita vazhdimisht po kërkon zgjedhje të parakohshme në vend, duke thënë se koalicioni nuk është parimor. A do të shkojë vendi këtë verë në zgjedhje apo jo?
Kryeministri Mustafa: Një opozitë që nuk kërkon zgjedhje, së paku deklarativisht, nuk do të mund të quhej opozitë.
Kurse, parimet vijnë në shprehje më së miri në punën dhe përkushtimin që dëshmohet gjatë një qeverisjeje, e jo në leksionet opozitare mbi parimësinë.
Parimore është t’ia avancosh rrugën integruese vendit duke përmbyllur MSA-në, dhe duke përmbushur kriteret për liberalizim vizash, të bësh reforma të gjithanshme, të arrish zhvillim ekonomik, të zgjidhësh brenda 2 vjetësh qeverisjeje çështje të hapura për 17 vjet, si çështja e Trepçës dhe e veteranëve, që të forcosh shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar, që të mos lejosh zhytjen e vendit në kaos e anarki, që të ulësh papunësinë, të rritësh pensionet dhe asistencën sociale, të pajisësh vendin me Kod Shtetëror Telefonik, e jo të shkruash letra kundër realizimit të një të arriture të tillë, që të luftosh korrupsionin dhe krimin e organizuar, e shumë të arritura të tjera që i kemi realizuar gjatë kësaj kohe.
Andaj, unë mendoj se ne duhet të respektojmë kalendarin zgjedhor dhe që në vjeshtë të mbajmë zgjedhjet lokale, ndërkaq që në qershor 2018, të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale.
– Kur pritet që Demarkacioni të rikthehet në Kuvend?
Kryeministri Mustafa: Sa i përket demarkacionit, ne gjatë kësaj kohe kemi krijuar një hapësirë të mjaftueshme që të zhvillohet debat argumentues, të adresohen të gjitha dilemat dhe pretendimet, përkundër se ka pas një qartësi të konsiderueshme që nga fillimi, aq më shumë pas qëndrimeve të qarta të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, ekspertëve vendorë dhe ekipit tre anëtarësh kredibil ndërkombëtar.
Së fundi, ne kemi krijuar edhe një Komision të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës në të cilin janë ftuar anëtarë nga: Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Tri partitë opozitare, Fakulteti i Shkencave Matematikore Natyrore, Grupi për Hulumtimin e Politikave të Ballkanit dhe dy ekspertë nga shoqëria civile, Agjencia Kadastrale e Kosovës, Agjencia e Ujërave, Agjencia e Pyjeve, KOSTT-i, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Policia e Kosovës, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Kryetari i Komunës së Pejës, Kryetari i Komunës së Deçanit, Kryetari i Komunës së Istogut, Kryetari i Komunës së Junikut dhe dy përfaqësues nga Rajoni i Rugovës në Pejë.
Pas përfundim të punës nga Komisioni i pavarur i ekspertëve, raporti i tyre do të aprovohet në Qeveri dhe do të dërgohet për njoftim në Kuvendin e Kosovës si dhe do të njoftohen qytetarët lidhur me territorin e Kosovës para dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.
Pas kësaj, deputetët e Kuvendit do ta kenë në dorë çështjen e ratifikimit të marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Duhet ta kemi të qartë se ratifikimi i demarkacionit do t’i mundësonte qytetarëve lëvizje të lirë, do të ketë ndikim substancial në forcimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit përmes shënjimit të një kufiri ndërshtetëror, si dhe do të ketë edhe efekte të tjera shumë pozitive në partneritetin strategjik me SHBA-të dhe vendet tjera mike në BE dhe më gjerë, si dhe do të ishte kontribut për fuqizimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Sa i përket lëvizjes së lirë, tashmë është e qartë se ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet, duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, angazhim i cili do të vazhdojë edhe më tej, dhe se ka mbetur vetëm çështja e demarkacionit.
/Telegrafi/