Këshilli i Ministrave miratoi sot disa shtesa dhe ndryshime në projektligjin për Rininë. Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi tha në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë se “në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Rininë dhe në vijim të një turi shumë të gjatë konsultimesh që kemi bërë me organizatat rinore dhe të rinjtë tashmë kemi propozuar disa ndryshime për ligjin e Rinisë, që do të shërbejnë për të zgjeruar mbështetjen dhe fuqizmin e të rinjve anembanë vendit”.
“Ky projektligj do t’i hapë rrugën dy programeve të reja që do të mbështesë të rinjtë drejtpërdrejtë për të ndjekur ëndrrën e tyre, por mbi të gjitha për t’u bërë edhe ata aktorë të drejtpërdrejtë të ndryshimeve në komunitetet ku ata jetojnë”, tha Muzhaqi.
Ministrja Muzhaqi u shpreh se “Programi Kombëtar i Talenteve rinore që do të mbështesë të rinjtë në fusha të ndryshme si pjesa e artit, kulturës, edukimit, shkencës teknologjisë, por edhe sportit duke mbështettur të rinjtë në kompeticione ndërkombëtare, dhënien e shpërblimeve për ta dhe vlerësime dhe rezultatet që ata arrijnë”.
“Çdo i ri dhe e re e talentuar nuk do të ketë pengesa për pjesëmarrjen në kompeticionet ndërkombëtare. Me anë të investimit dhe shpenzimeve të mbuluara nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, çdo i ri do të ketë mundësinë të marrë pjesë në kompeticione, të ngrejë flamurin shqiptar lart dhe të mund të reflektojë të gjithë talentet e tyre”, tha Muzhaqi.
Ministrja Muzhaqi bëri të ditur se “një tjetër program shumë i rëndësishëm është programi i nismave komunitare, që do t’i lejojë mundësinë grupeve të të rinjve të krijojnë projektet e tyre, që kanë fokus ndryshimin e qyteteve, fshatrave ku jetojnë. Të rinjtë bëhen bashkë me njëri-tjetrin dhe kanë mundësinë të mos kenë vetëm ide, por të aplikojnë për projekte konkrete dhe të aplikojnë me një aplikim shumë të thjeshte pranë Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe t’i bëjnë ato realitet”.