Kreu u grupit parlamentar demokrat, Myslim Murrizi ishte i ftuar në studion e lajmeve të Fax News ku ka folur për ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë ndryshimin e sistemit dhe futjen e listave të hapura në zgjedhje.
Murrizi ka sqaruar se pse është e domosdoshme hapja e listave teksa ka sjellë në vëmendje cilësinë që kishte parlamenti në kohën e trazirave të vitit 1997 ku tha se pavarësisht se PD nuk kishte kandidatë në mbi 40 zona zgjedhore, parlamenti nuk kishte asnjë tutor, kriminel dhe trafikant.
“Më shumë se sa unë dhe grupi parlamentar që përfaqësojmë, kemi kërkuar ndryshimin e sistemi zgjedhor, është një kërkese ë qytetarëve shqiptarë, e shoqërisë civile. Kërkojmë të zbatohet neni 2 i Kushtetutës së Shqipërisë. Nga prilli i 2008 vota e sovranit është mohuar. Mazhoranca të lërë pas pazaret e pista, të kthehet më këmbë në tokë dhe të votojmë ndryshimet kushtetuese të të hapen listat. Boll më deputetë parazitë që futen herë në sqetullat e Ramës, herë të Bashës e të Berishës kur ishte. Ka deputetë që kanë nga 4 mandate dhe kurrë njëherë të vetme nuk është shkruar emri i tyre për të ngritur ndonjë çështje. Nëse qytetarët shqiptarë nuk duan ti shikojnë surratin në parlament nuk kanë pse shkojnë.
Kam marrë shembull parlamentin e 1997, s’ka pasur asnjë kriminel, bandat ishin nëpër këmbë. PD nuk arriti në jug të vendoste kandidatë. 43 zona nuk kishin as kandidatë, por s’ka pasur as porositës vrasjesh, as tutorë, as kriminel. Nuk ishte nevoja që faktori ndërkombëtar të kërkonte që parlamenti me një ligj enkas për të pastruar veten. Ai mbetet parlamenti më i mirë i 30 viteve, ke parlamentin e 2001 edhe pse kishte batërdi në ndërhyrjet. Kjo që kemi sot është falë marrëveshjes së Prillit të 2008”, tha Murrizi.
Sipas ligjvënësit ndryshimet e Kodit zgjedhor duhet të ndodhin pas ndryshimeve kushtetuese, ndërsa ka përshëndetur vendimin e Kuvendit për të pranuar kërkesën e opozitës parlamentare që të përfshihet në diskutime tema e hapjes së listave. Murrizi tha se nuk mund ti besohet më ‘tre hajdutëve që kanë premtuar se nuk do të vjedhin më si 7 herët e tjera.’
:”Është Kushtetuta ajo që prevalon, pastaj vijnë kodet pastaj ligjet e zakonshme. Fakti që parlamenti është kthyer në shinat institucionale dhe ka marrë parasysh kërkesën e deputetëve për listat, unë e shikoj ndryshimin e Kodit Zgjedhor pasi të pranohen ndryshimet kushtetuese. Kodi e ka radhën pas Kushtetutës, grupi që sot përfaqësoj nuk votojnë asnjë lloj dakordësie mes atyre që nga OSBEE-ODHIR janë etiketuar me gisht si vjedhës të votës. Kjo është një besë e dhënë në mes 3 hajdutëve të votës se në zgjedhjet që do vijnë nuk do vjedhim më. Si mund të besoja unë që ti votojnë votat këta militantë që kanë vjedhur votat, kanë devijuar duke marrë kartat, kush është garancia, besa e dhënë e 3 hajdutëve që këtë herë nuk do të bëjnë më si në 7 palë zgjedhjet e tjera? Të kthehesh tek Damiani që do shpëtojë zgjedhjet nuk ka më ironike. Votën e lirë do na e mbrojë firma e Damianit, ky është paradoks”.
Sa i përket 15 kushteve të vendosura nga BE për negociatat, Murrizi tha se në këndvështrimin e tij janë vetëm 2 kushte, Reforma në Drejtësi dhe Reforma Zgjedhore, ndërsa pikat e tjera janë në kushte që kanë të bëjnë me 2 të parat dhe plotësimin e tyre.
“Nuk hy tek ping-pongu i këtyre në lidhje me kushtet e BE-së. Unë desha të ndaheshin në dy kapituj, i pari është reforma zgjedhore dhe i dyti është reforma në drejtësi. E para është të ketë drejtësi, dhe ndjekjen e rekomandimeve të OSBE-ODHIR. Pjesa e dytë është bërja funksionale e reformës në drejtësi. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, SPAK të funbksionojë, të krijohet BKH dhe hajdutët të shkojnë para drejtësisë. Po deshët quajini 15 se s’kam qef ti numëroj, ata kërkojnë dy gjëra dhe këto të tjerat janë nën-kushte dhe vijim i dy kushteve kryesore.
E vërteta është se jemi në vend numëro. Fakti se gjysma e shqiptarëve po braktisin vendin pas vrasjes së shpresës është shumë më keq se fukarallëku i ulur në tryezën tënde. Marrin 200 karta i bëjnë ciu ciu në oborrin e shkollave pjesën tjetër e bën Damiani. Është abuzuar prej 20 vitesh në mënyrë të llahtarshme. Politikanët që nuk kanë paguar kurrë në jetën e tyre një tatim, kanë ardhur 24 vjeç në parlament dhe janë sot 56-vjeç, kanë ardhur me çorape dhe pantallona të grisura. Hajdutët duam ti shohim në gjykim”, tha Murrizi.
(F.GJ/FAXWEB.AL)