Banorët e qytetit të Mamurrasit dhe rrethinave të tij shprehen të pakënaqur nga qeverisja vendore. Mandatin katër vjeçar të Majlinda Carës si kryetare të bashkisë Kurbin, e konsiderojnë si të dështuar.
Siç shprehen banorët, Mamurrasi është një ndër zonat më të varfra në vend, dhe në 4 vitet e fundit nuk është bërë asnjë investim, ndërsa ka ende familje në çadra pas tërmetit të 2019.
“Kjo që është ta marrë sërish, dhe tju bëjë shtëpitë atyre që si kanë nga tërmeti. Unë i kënaqur jam, papunë që papunë jam. Nuk pres asnjë ndryshim”, shprehet një qytetar që duket i dorëzuar ndërsa zhvlerëson votën e tij.
“Nuk jam i kënaqur, ka shumë punë për të bërë, që e dinë ata. Ka Mamurrasi sa të duash punë për të bërë, vetëm u bënë fasadat e pallateve dhe gjë tjetër jo. Ka shumë për të ndryshuar, ndryshim!”, mendon një tjetër qytetar, ndërsa shton: “u futën në parlament me flokë të zeza dhe po dalin me flokë të thinja”.
“Shihe Mamurrasin si është, pleh!”, thotë një tjetër banor, ndërsa shton se qyteti është zhytur në varfëri. “Ka ardhur koha që të ndryshohet me sesbën, na e kanë prurë në majë të hundës. Krejt i ke familjet që akoma nuk kanë marrë strehim, kanë ngelur krejt në çadra. Ka 30 vite që askush ska vënë dore te ne”.
“Unë jam invalid, qysh në 2019 që ra tërmeti na e nxorrën pallatin me dëmtim DS4, dhe sot e kësaj dite pallatin se ka prekur njeri me dorë. Bonuset e qerasë janë vonuar, shtëpijat tona kur do të bëhen? Nuk dimë se ku të ankohemi”.
“Ka problematika shumë të mëdha, sa kryetarja e bashkisë aktuale e ka braktisur qytetin. Kemi ngelur pimë ndonjë kafe dhe ikim te shtëpia, dhe ato para na i sjellin fëmijët nga emigracioni. Ne ecim me gropa më keq se ato vende që janë në luftë. Ka banorë që jetojnë në çadra apo kanë marrë shtëpi me qera me pare borxh. Shumica nuk merr asgjë, as bonus qeraje. Kryetarja e Bashkisë hyn nga mbrapa me disa bodyguard. As i ra në mend me më prit ndonjeherë”.