Naftëtarët e Ballshit kanë hyrë sot në ditën e katër të grevës së urisë, ndërsa përveç ushqimit dhe ujit tashmë kanë refuzuar që të marrin dhe ndihmën mjekësore.
10 punonjës të rafinerisë gjenden në kushte të rënduara shëndetësore, ndërsa njëri prej tyre është zëvendësuar nga një grevist tjetër, për shkak se situata e tij ishte shumë problematike.
Në një komunikim me Fax news ata shprehen se qendresa do të vijojë, dhe të dielën pritet që të ketë një tubim në qytet.
“Nuk dua të punoj në shtet, siç thotë kryeministri, ne kërkojmë që të punojmë në Rafineri, që e keni firmë private. Ne duam të shkollojmë fëmijët këtu në këtë vend, nuk duam që të ikim jashtë vendit.
Policia nuk duhet që të na mbyllë dyert ne punëtorëve, duam që të shkojmë dhe të punojmë, nuk duam që të vrasim dhe të vjedhim.
Do ti lëmë deri të dielën afat qeverisë, në të kundërt do të dalim në një tubim të madh, bashkë me kolegët e tjerë”, shprehet një prej grevistëve, i cili thotë se tashmë kanë marrë mbështetje dhe nga kolegët dhe familjarët.
“Deputetët e qarkut të Mallakastrës të mos tërhiqen zvarrë, unë kam ardhur këtu për bukën e fëmijëve të mij. Unë jam një nga të parët që kam hyrë në grevë, i lutem deputetëve, qeverisë, ministrit që të zgjidhin çështjen e Mallakastrës.
Të gjitha firmat që kanë qenë këtu në Ballsh kanë qenë mashtruese, nuk duam politikë këtu brenda, jemi thjesht hallexhinj, për bukën e gojës. Janë të paktën 42 mijë qytetarë që i kanë varrur shpresat te nafta. Të tëra të ardhurat tona janë këtu, pse është kjo gjendje varfërie te qytetarët.
Ne përfaqësojmë të gjithë punonjësit e rafinerisë, nuk mund të hyjmë të gjithë në grevë”, shprehet një tjetër grevist për Fax News.
Gjendja e të gjithë grevistëve tashmë është e rënduar, e cila është përkeqësuar për shkak të ambientit të vogël në të cilët ata qendrojnë. Një prej tyre është ndjerë papritur keq, dhe është masazhuar nga grevistët e tjerë, siç mund të shihet dhe në foton e mëposhtme:
(E.K/Faxweb.al)