Naftëtarët e Ballshit mund të marrin një zgjidhje për situatën e tyre ditën e enjte. Prej kohësh, protestojnë për pagat që nuk i kanë marrë prej muajit Janar, ndërsa kompania që i ka detyrime ka kërkuar rifillimin e punës duke i thënë punonjësve që të bëjnë kërkesë punësimi.
Kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj, i cili ishte në takim me përfaqësuesit e kompanisë u shpreh: “Do ju marr unë në qafë këtë herë. Ditën e enjte, nëse nuk bëhet kontratat për garancimin siç kemi rënë dakord, rafineria nuk është më e Gëzimit, është e jona. Edhe dicka e fundit, unë jam në besën tuaj. Kam dhënë fjalën aty. Kam marrë kontratën individuale dhe kolektive. Kontrata individuale është ajo që kemi pasur me kompaninë e fundit, kolektiven e kemi vënë në diskutim, do të ecë në rrugë paralele me kolektiven.
Nëse pronari nuk vjen ditën e enjte me njerëzit e duhur që të zhvillojë kontrata këtu, atëherë jam unë njeriu që ju kam thyer në besë juve.”
Ndërsa një punonjës tregoi kontratën para kamerës së Fax News, duke thënë se nuk e pranon pasi nuk mund të regjistrohet si punëtor i ri kur ka 20 vite që shërben si naftëtar. Kërkesa e tij e vetme është që të marrë pagat e prapambetura.
“Është kontratë sikur jam punëtor i ri. Unë nuk mund ta pranoj se kam 20 vite që punoj aty. Është pa firma, pa vulë, pa asgjë. Të na japin pagat sa na takon dhe nuk kemi asnjë lloj problem, pavarësisht se na kanë përdorur. Është turp që na kanë lënë pa rrogë që nga Janari deri tani. Të na japin lekët, ndaç të më marri në punë, ndaç të mos më marrë”, tha punonjësi.(A.M/Faxweb.al)