Kanë kaluar 20 ditë nga ajo mbrëmje, por efekti negativ i prodhuar në moralin e skuadrës është akoma aktual. Lojtarët e Napolit u bënë protagonistë të një rebelimi në fund të ndeshjes kundër Salzburgut, duke e ndërprerë “regjimin e kazermës”, së diktuar nga presidenti De Laurentiis. Kjo masë e kreut të klubit nuk u pranua kurrë plotësisht. “Kryengritja” e udhëhequr nga disa senatorë të grupit, në veçanti nga Allan, i cili madje pati kontakt fizik me Edoardo De Laurentiis (djalin e presidentit), shpërtheu në dhomën e zhveshjes. Kjo sjellje do t’i kushtojë shtrenjtë brazilianit, në çdo kuptim.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Aurelio De Laurentiis ka urdhëruar bashkëpunëtorët e tij për aktivizimin e Bordit të Arbitrazhit, duke kërkuar kompensim për dëmet që ka sjellë ky veprim i lojtarëve. Masa e gjobës do të jetë e barabartë me 25% të pagës mujore bruto (të tetorit, që ende nuk është paguar). Allan do të duhet ta hapë portofolin e tij më shumë se kushdo tjetër, deri në 50% të pagës (200.000 euro). Shuma e përgjithshme e gjobave ndaj lojtarëve të Napolit mendohet të shkojë në rreth 2.5 milionë euro.
I vetmi që nuk do të vuajë nga kjo dispozitë është Kevin Malcuit, i cili nuk ishte i pranishëm në dhomat e zhveshjes së “San Paolo” për shkak të dëmtimit të ligamentit, çka do ta mbajë larg fushave për disa muaj. Napoli, gjithashtu, do të veprojë ligjërisht për çështjen e të drejtave të imazhit të klubit dhe dëmit të pësuar. Pra, De Laurentiis do të kërkojë dëmshpërblim edhe në këtë drejtim. Nga ana e tyre, lojtarët kontaktuan avokatë për të kuptuar se si mund t’i kundërshtojnë këto gjoba të klubit. Me pak fjalë, përplasja totale është gati të arrijë “pikën e vlimit”, situata te Napoli nuk është aspak e mirë.