Gazetari dhe një herë Drejtori i Informacionit në Fax News Bledian Koka, i ftuar në studion e emisionit “Natë me Xhaxhiun” ka bërë një deklaratë të fortë lidhur atë që fshihet pas dorëheqjes së ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Sipas tij dorëheqja ishte një rrufe në qiell të hapur, por ka ardhur pas një përplasje të bandave brenda PS-së.
“Dorëheqja e Xhafajt ishte një ‘rrufe në qiell të hapur'”, – tha Koka, ndërsa shtoi: “Është pjesë e një përplasje bandash në Partinë Socialiste. Këtë gjë e pamë në shfaqen e sotme, ku ish-ministri Xhafaj u shfaq si një “dashnor” politk i Erion Veliajt, përballë grupit politik të Edi Ramës, pjesë e të cilit është edhe Fatmir Xhafaj.
Thënë ndryshe, grupi politik i Erion Veliajt ka dashur të arrestojë një anëtar të grupit të Edi Ramës, gjë që ka sjellë këtë përplasje.
Janë dy banda që po përballen për të zezën e këtij populli. Unë thjeshtë mendoj se kushdo që të dalë, do të jetë vazhdim i së keqes, i kapjes së pushtetit. Kjo gjë nuk sjell asgjë të mirë.”
Më tej ai u shpreh se Xhafaj është i rënë moralisht që pas akuzës së parë si hetues i diktaturës.
“Ai ishte ministër i rënë moralisht që kur një zotëri doli dhe e akuzoi si hetues të komunzimit, se i kishte kapur mishin me dara. Më pas akuzat që dolën për aktivitetin penal të vëllait të tij ishin një tjetër arsye e rënies së tij. Ai ndoshta nuk është përgjegjës për aktivitetin e vëllait të tij, fakti se ai mund të ketë ndërhyrë në ligj apo të jetë bërë pengesë për drejtësinë.”, – tha Koka.
(B.B/ Faxweb.al)