Çmimet e Panairit të 20 të Librit u shpallën mbrëmjen e djeshme. Si autor i vitit 2017 është cilësuar shkrimtari Betim Muço i cili nuk jeton më.
Çmimet janë si më poshtë:
“Autori i vitit” (“Yjet janë fare pranë”, Betim Muço).
“Libri studimor më i mirë” (“Faik Konica, dritëhijet e një diplomati”.Agron Alibalaj).
“Përkthyesi i vitit” (“Lumturia e pritjes” me autor Karmine Abate, përkthyer nga Diana Çuli).
“Libri më i mirë për fëmijë” (“Unë jam Musine Kokalari” nga Persida Asllani).
Juria, që vendosi për këto çmime vjetore përbëhej nga; përkthyesi Shpëtim Çuçka, shkrimtarja Flutura Açka, gazetarja e kulturës Anisa Ymeri dhe studiuesja e letërsisë, Belfiore Qose.
Autori i vitit Betim Muço
“Autori i vitit” u shpall pas ndarjes nga jeta shkrimtari Betim Muço (1947- 2015) me veprën “Yjet janë fare pranë”.Me motivacion: “Për trajtimin me thellësi idesh dhe elegancë artistike e gjuhësore të temës së emigracionit në kontekst kombëtar e ndërkombëtar”.
Bashkëshortja e Betim Muços, Marta shprehet se ky libër ka qenë një përsiatje e gjatë, që fillonte nga historitë e mbledhura me dashuri nga burimi i pashtershëm i gjyshes së Betimit dhe rrënjët në Përmetin e largët. Ëndrrat e tij për astronominë dhe yjet e deri te vëzhgimet e udhëtimet e pafundme profesionale, që ai kishte pasur gjatë dhjetë viteve të para të tranzicionit shqiptar nëpër Europë e më tej. (J.V/Faxweb)