Artisti i muzikës popullare Ndue Shyti, është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare. I njohur si mjeshtri i çiftelisë, Shyti është nderuar edhe me titujt si “Artisti i Popullit” dhe “Nderi i Kombit” ndërsa është cilësuar edhe si “Paganini” i çiftelisë shqiptare.
Ndue Shyti është me origjinë nga rrethi i Pukës dhe mbetet njëri ndër krijuesit dhe instrumentistët më të njohur në botën e muzikës popullore shqiptare. Artisti ishte edhe krijues i ansamblit popullor Puka, pjesë e të cilit ishin 100 instrumentistë.
Shyti ishte artist shumëdimensional, interpretues në pesë vegla, krijues dhe dirigjues në orkestrën më të madhe të muzikës popullore, për çka është nderuar me çmimet më të larta të kohës.
Ishte viti 1958 kur doli për herë të parë në skenën e Festivalit Folklorik të rrethit. Aty mori diplomën e parë për talentin dhe punën e akumuluar ndër vite mbi dy tela çiftelie. Ndoshta sot u nda përgjithmonë nga jeta, por jo ng historia e artit dhe muzikës shqiptare. (D.D/Shuplaka)