Është ndarë nga jeta në moshën 77 vjeçare, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë, regjisori Kristaq Mitro. Ai i ishte nënshtruar së fundi një operacioni në Vjenë, ku dhe ka ndërruar jetë.
Mitro është regjisor i disa filmave shqiptarë, si: Një djalë edhe një vajzë (1990), Telefoni i një mëngjesi (1987), Duaje emrin tënd (1984), Apasionata (1983), Njeriu i mirë (1982), Në prag të lirisë (1981), Liri a vdekje (1979), Nusja dhe shtetërrethimi (1978), Dimri i fundit (1976), Tokë e përgjakur (1976), Kur zbardhi një ditë (1971).
Lajmin për ndarjen nga jeta të Mitros e ka dhënë familja e tij, ndërkohë që të prekur kanë reaguar dhe kolegët që kanë ndarë vitet e suksesit dhe karrierës. Aktori Mevlan Shanaj shkruan:
“Lamtumirë Kristaq Mitro, miqësi që nga koha studentore, në një klasë , në një dhomë, deri së fundi si mësimdhënës në Universiteti i Arteve, në degën e regjisë së filmit. Ike duke lënë në ekranin shqiptar si regjisor vepra me sukses të pakontestuara ! Ngushëllime familjes dhe gjithë miqëve!”
Mitro ishte prej vitesh i angazhuar si pedagog dhe në Universitetin e Arteve në Tiranë.