Vendi i tretë në kampionat duket se nuk i shkon shumë për shtat Skënderbeut dhe presidenti Ardjan Takaj në një intervistë për “Panorama Sport” e konsideron si finale takimin ndaj Kukësit që do të luhet nesër në Korçë. Trepikëshi sipas Takajt është alternativa e vetme për ekipin e tij, në mënyrë që të vazhdohet rruga drejt titullit kampion. Por, numri një i kampionëve komenton edhe situatën e Osmanit, duke theksuar se nuk ka asnjë keqkuptim në lidhje me pozicionin e tij në ekip.
Ndeshjen e radhës e keni konsideruar një finale për titullin…
Duke parë që luajnë dy vendet e para në renditje dhe do të luajnë për vendin e parë, mund të quhet si finalja e parakohshme, por janë edhe 11 javë gjithsej dhe ne kemi për të luajtur edhe 11 finale deri në fund të sezonit, të gjitha sfida të vështira që do të përcaktojnë kampionatin. Por e quajmë kështu për t’i dhënë më shumë rëndësi garës dhe për ta bërë takimin akoma më spektakolar.
Me çfarë objektivi futet Skënderbeu në këtë ndeshje?
Skënderbeu hyn në fushë vetëm për fitore dhe nuk diskutohet një gjë e tillë. Nuk hyjmë për asnjë rezultat tjetër.
Ndërkohë Kukësi nuk ka pësuar asnjë humbje deri më tani në kampionat. Do t’ia shkaktojë ekipi juaj atë?
Nëse Kukësi është i pamposhtur deri më sot, kjo do të thotë se kanë bërë një kampionat të mirë, por kjo s’e ndihmon Kukësin për të shmangur humbjen në Korçë.
Çfarë ju shtyn të mendoni se Skënderbeu do të fitojë në këtë përballje?
E them këtë, pasi Skënderbeu ka organikën më të plotë në kampionatin tonë me rreth 27 lojtarë që nuk kanë diferenca shumë të mëdha nga njëri-tjetri. Të 27 janë të gatshëm për të luajtur titullarë në çdo moment me këtë ekip dhe të mos ketë aspak diferenca. Kjo është ajo që më jep siguri.
A ka një çështje “Osmani” te Skënderbeu?
Nuk ka asnjë çështje te Skënderbeu, janë disa terma që nuk kanë vend te klubi ynë. Skënderbeu ka një barazi trajtimi të të gjithë lojtarëve dhe ai që kërkon të bëhet çështje është automatikisht jashtë ekipit.
Ia keni ofruar rinovimin mbrojtësit?
Osmani është një lojtar i ekipit dhe një pjesë e rëndësishme e jona. Rinovimin e ka gjithmonë të pranishëm në tavolinë dhe, kur të jetë i gatshëm, mund të vijë për ta firmosur në çdo kohë.
Do të vendosni premio për këtë ndeshje?
Në të tilla ndeshje besoj se nuk ka vend për premio. Pasi jo gjithmonë shpërblimi bën punë nëse lojtari nuk ndien pjesën e garës dhe peshën e ekipit të vet.
Gjykimi është bërë çështje në shumë takime këtë sezon…
Nuk dua të dëgjoj në këtë takim asnjë fjalë për gjykimin. Kam dëshirë që ndeshja të luhet normalisht dhe të dy ekipet t’i shtrëngojnë dorën në fund njëri-tjetrit pa u kapur aspak te gjykimi.
Si e shikoni gjendjen e tifozëve në stadiumet shqiptare duke iu referuar edhe Skënderbeut?
Ndoshta nuk është pyetja e duhur për Skënderbeun, pasi po të shikosh kudo që luan Skënderbeu, stadiumet gjithmonë janë plot në pjesën më të madhe të tyre. Skënderbeu është diçka tjetër, pasi kudo që ne shkojmë, krijojmë një atmosferë ndryshe. Duhej pyetur dikush tjetër që të flasë më saktë për këtë pyetje.
Po në momentin kur është Skënderbeu pritës, si është raporti i tifozëve?
Korça këtë vit e ka në rritje prezencën e tifozëve në stadium. Edhe atje ndikon cilësia e takimit, pasi ndiqen më shumë ekipet e forta, kjo është normale. Për shembull me Kukësin do të jetë një stadium i mbushur plot. Ka diferencime në bazë të objektivave të klubeve.
Keni qenë të parët duke i mbështetur tifozët me hyrjen falas. Sa e ndihmon kjo një ekip futbolli?
Unë jam i mendimit që, një gjë e tillë, nuk është diçka pozitive për klubin. Prandaj edhe te ne ka ndodhur vetëm dy herë dhe nuk po ndodh më. Duam që tifozët të vlerësojnë punën e klubit, të ndihen pjesë e ekipit dhe kontribues të ekipit të zemrës. Korça ka një kulturë që e pranojnë me kënaqësi biletën.