Pengesë e re për Real Madridin. Në këtë rast flitet për Toni Kroos, i izoluar si kontakt i ngushtë me një person pozitiv për koronavirus. Tani për tani, testet e tij kanë qenë të gjitha negative, por është izoluar në shtëpi duke ndjekur protokollin mjekësor.
“Real Madrid CF komunikon se lojtari ynë, Toni Kroos, është në izolim pasi ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me një person që ka rezultuar pozitiv për COVID-19, megjithëse të gjitha testet që janë kryer për lojtarin kanë qenë negative”, – lexohet në deklaratën e bërë nga klubi i bardhë për statusin e gjermanit, i cili nuk u stërvit me shokët e skuadrës.
Kroos nuk luajti asnjë minutë kundër Granadës, por u la pushim nga Zidane, pasi fizikisht është në limite. Gjermani është një lojtar kyç dhe pas një sezoni shumë të vështirë në nivelin fizik, trajneri vendosi t’i japë një ndeshje pushim dhe ta ketë të gatshëm për “San Mamés”. Tani, është jashtë veprimi prej protokollit të pandemisë, pavarësisht nga fakti se testet i kanë dalë të gjitha negative. Në fakt, këtë mëngjes i gjithë grupi i bardhë iu nënshtrua një testi PCR, në 11:00 të mëngjesit.
Në Madrid “kryqëzojnë gishtat”, që gjermani të kthehet shpejt, por çështja e tij mund të jetë e ngjashme me atë të Fede Valverde, i cili u izolua fillimisht për shkak të një kontakti pozitiv dhe më pas, pas pesë ditësh, doli pozitiv. Përveç mungesës së Kroos, duhet theksuar gjithashtu se Sergio Ramos nuk ishte në fushën e stërvitjes, kështu që përjashtohet edhe prania e tij për në transfertën e Bilbao.