Pas ndalimit të trenit që u nis nga Beogradi në Mitrovicë, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa shprehet se ky ka qenë vendimi i duhur.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Mustafa deklaron se nuk pranon provokime të këtij lloji nga Serbia. Kujtojmë këtu, se në pjesën e jashtme të trenit serb shkruhej: Kosova është Serbi.
“Unë mendoj se kthimi prapa i këtij treni është veprim i duhur dhe hyrja e trenit në territorin e Republikës së pavarur të Kosovës nuk do të lejohej ose nëse rast se do të hynte, do të përballej në përputhje me ligjet e Kosovës. Jemi të përkushtuar që të mundësojmë lëvizjen e lirë, por nuk do të lejojmë provokime të tilla. Me këtë rast, më lejoni të theksoj vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim të plotë me presidentin dhe kryeparlamentarin, të angazhohemi për të mbrojtur sovranitetin e vendit”, është shprehur Mustafa.
Më pas ai ka shtuar: “Nuk do të lejojmë provokime të tilla që kanë për qëllim kthimin e Kosovës dhe rajonit në vite të errëta dhe me pasoja të paparashikueshme. Ne angazhohemi për çështje që lidhen me ruajtjen e sovranitetit të Kosovës”.
Sipas kryeministrit kosovar, hapat e ndërrmara sot janë zhvilluar duke u konsultuar edhe me misionet diplomatike në Kosovë. (D.D/Shuplaka)