Ditën e sotme në Mitropolinë e Athinës po kremtohet Liturgjia Hyjnore para trupit të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta paraditen e djeshme.Liturgjinë Hyjnore do ta kryesojë nënkryetari i Sinodit të Shenjtë, Mitropoliti i Nafpaktos dhe i Shën Vlasit, Jerotheosi.
Pas përfundimit të saj, Kryepeshkopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë, Jeronimos, do të mbajë një shërbesë për shpirtin e të ndjerit. Në këtë shërbesë do të marrin pjesë kryeministri, Kyriakos Mitsotakis, dhe kryetari i PASOK-ut, Nikos Androulakis. Trupi i ndjerë i Kryepeshkopit do të qëndrojë në Katedralen e Shenjtë të Athinës, ku do të vendoset për nderime publike deri në orët e mëngjesit të së hënës, kur do të sillet në Shqipëri.
Ndërkohë në mbledhjen e djeshme të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani u zgjodh si Mbikëqyrës i Fronit Kryepeshkopal. Gjithashtu u shpall zia kishtare për 5 ditë duke nisur nga dita e sotme. Në njoftimin e Kishës u bë me dije se pritja e trupit të Kryepeshkopit do të bëhet para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” Tiranë, të martën, datë 28 janar, ora 16:00. Pas pritjes, homazhet do të mbahen brenda Katedrales gjatë kësaj pasditeje dhe gjatë gjithë ditës së nesërme, të mërkurën, datë 29 janar 2025. Ndërkohë njoftohet gjithashtu se varrimi do të kryhet ditën e enjte, datë 30 janar, ora 11:00, pas Liturgjisë Hyjnore.