Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, nëpërmjet një mesazhi, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Në mesazhin e tij, Baba Mondi shprehet se Kryepeshkopi Anastas Janullatos në kushte të vështirësive të mëdha, për më shumë se 30 vite, ringriti Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri.
“Ju siguroj se kujtimi i Tij, do të jetë kurdoherë një burim mirësie, për miliona besimtarë ortodoksë, të kundondodhur në botë”, shprehet Baba Mondi.
Kryegjyshi Botëror Bektashian shprehu ngushëllimet për drejtuesit e lartë të Kishës dhe mbarë komunitetin ortodoks të Shqipërisë!
Reagimi i plotë:
Me hidhërim të thellë, mora lajmin e hidhur, të kalimit nga kjo jetë e përkohshme, e vëllait tonë, Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas, në kushte të vështirësive të mëdha, për më shumë se 30 vite, ringriti Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri.
Në emër të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, më lejoni të shpreh konsideratën më të lartë, për veprimtarinë e tij gjatë gjithë jetës dhe si për bashkëpunimin e ngushtë me të, për bashkëjetesën fetare në Shqipëri dhe më gjërë.
Ju siguroj se kujtimi i Tij, do të jetë kurdoherë një burim mirësie, për miliona besimtarë ortodoksë, të kundondodhur në botë.
Ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme për drejtuesit e lartë të Kishës dhe mbarë komunitetin ortodoks të Shqipërisë!
Të prehet në paqen e merituar!
Amin!