Ish-deputeti, Fatmir Mediu deklaroi gjatë një lidhjeje telefonike me Fax News se ngjarja në Rinas është një akt kriminal dhe i përsëritur i cili ka provuar nivelin e sigurisë në vend.
“Grabitja në Rinas është një akt kriminal i cili tregoi në mënyrë të përsëritur nivelin e sigurisë në vend”.
Mediu e komentoi vendimin për vendosjen e Forcave të Armatosura në aeroport si një akt të paligjshëm dhe të pa negociuar midis aktorëve përkatës në vend.
“Është një vendim i paligjshëm dhe i pa negociuar midis aktorëve përkatës, pasi ka ligje që i parashikon Kushtetuta se kur duhet të marrin pjesë në operacione Forcat e Armatosura. Mungesa e komunikimit dhe shkëputja e tij midis institucioneve sjellë probleme në punën e FA, pasi ne jemi edhe anëtarë të NATO-s. Nëse ka informacione për një kërcënim terrorist padyshim që duhet bashkëpunimi me aleatët për të ndërhyrë dhe ndërhyrje e trupave të FA. Asgjë nuk ka vlerë nëse vjen në tejkalim të Kushtetutës dhe ligjit”.
Mediu komentoi edhe punën e policisë si dhe nuk la pa përmendur edhe përgjegjësinë që ka kompania koncesionare për garantimin e sigurisë në aeroport.
“Ai ishte një akt kriminal dhe i përsëritur dhe tregoi se strukturat kundër krimit nuk janë në nivelet e duhura. Ajo që bërë është që të shihet rreth detyrimeve që kanë koncesionarët por nga ana tjetër duhen parë organizimi i strukturave të organizuara të Policisë së Shtetit, pra duhet parë roli që kanë FA dhe Policia e Shtetit”.
Lidhur me mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme që ka të bëjë me nivelin e sigurisë në vend, Mediu tha: “Për gjendjen e jashtëzakonshme duhet një koordinim dhe diskutim midis Kryeministrit, Presidentit dhe gjithë autoriteteve të nevojshme për ta vendosur. Presidenti i Republikës është Komandant i Forcave të Armatosura. Unë mendoj se Presidenti duhet të analizojë situatën dhe nëse ka, duhet të marrë përgjegjësitë e veta.
Policia është kthyer në instrument të qeverisë ndaj qytetarëve. Vendosja e Forcave të Armatosura ka një impakt jo të vogël në imazhin e vendit dhe në këto rrethana ne duhet të mendojmë se çfarë do të bëjmë. Do të krijohet imazhi i një shteti ushtarak dhe policor”, deklaroi Fatmir Mediu për Fax News.
Kujtojmë se më herët, Mediu e ka komentuar përmes një postimi në rrjetet sociale ndërhyrjen e Forcave të Armatosura në perimetrin e aeroportit “Nënë Tereza” si diçka të papranueshe dhe që e shndërron atë në instrument të urdhërave politikë, nga kushdo që vjen në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.
Postimi i plotë:
Kushtetuta dhe ligji kanë përcaktuar qartë rolin dhe misionin e Forcave të Armatosura.
Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe është e papranueshme që FA të shndërrohen në instrumenta të urdhërave politikë, nga kushdo që vjen në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.
Forcat e Armatosura kanë dy raste që mund të përdoren:
a- Në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme:
Neni 22
Përdorimi i Forcave të Armatosura gjatë gjendjes së jashtëzakonshme
- Gjendja e jashtëzakonshme vendoset me ligj nga Kuvendi, sipas dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
- Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, Forcat e Armatosura, me vendim të Kuvendit, pas kërkesës së Këshillit të Ministrave, mund të ndërhyjnë për rivendosjen e rendit, vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje ta kryejnë këtë detyrë.
- Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme Kryeministri është drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e Forcave të Armatosura, përmes hierarkisë së drejtimit e të komandimit.
- Pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme Kryeministri i raporton Kuvendit për përdorimin e Forcave të Armatosura gjatë kësaj periudhe.
- Veprimet, që ndërmerren nga Forcat e Armatosura gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, duhet të jenë në përpjesëtim me shkallën e rrezikut dhe duhet të synojnë rivendosjen sa më të shpejtë të funksionimit normal të shtetit.
Nuk jemi aspak përballë një situate të tillë. Nëse shteti dhe policia ka rënë, kjo nuk është për shkak të paaftësisë së tyre apo mungesës së strukturave të specializuara për ruajtje të objekteve të sigurisë së veçantë apo përballjeve me grupe kriminale.
Për fatin e keq, forcat e Policisë janë kthyer në instrument politik, kundër qytetarëve dhe të drejtave të tyre, duke dhunuar qytetarët në emër të qeverisë.
b- FA përdoren në rastin e emergjencave, si ndërhyrje e domosdoshme, pasi janë përdorur të gjitha mjetet dhe strukturat e tjera në dispozicion.
Asnjë nga këto dy momente ligjore dhe kushtetuese, nuk përputhet me atë ç’ka ndodhi në Rinas, prandaj vendosja e strukturave ushtarake është jo kushtetuese dhe jo ligjore dhe krijon një precedent të rrezikshëm për përdorim për interesa dhe qëllime jashtë misionit të tyre.
(F.GJ/FAXWEB.AL)