Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq ish-drejtorin e IT-së në Policinë e Shetit, Ervin Muça, i cili akuzohet për ndërhyrje të pautorizuar në sistemin TIMS.
Organi i akuzës informon se i pandehuri ka urdhëruar punonjësit për hapjen e portave USB.
Sipas Prokurorisë, veprimet e Ervin Muçës janë kryer prej tij deri në orët e vona të natës së datës 1 Shtator 2023, ndërsa ka rezultuar se në godinë janë futur persona të paautorizuar për të asistuar në procesin e back up, konkretisht shtetasi me iniciale K. M..
Ky i fundit nuk ka qenë pjesë e stafit dhe shpeshherë ka hyrë me pinin personal të një punonjësi tjetër jo prezent.
Sipas Prokurorisë, “është vërtetuar lidhja midis pajisjes hard disk të sekuestruar me kompjuterin e identifikuar të lidhur me serverat; lidhje e realizuar për të mundësuar kryerjen e një procesi back up manual, duke eksportuar të dhëna në hard disk.
Proces, i cili nuk ka pse të kryhet pasi vetë sistemi automatikisht bën dy back-up-e, për më tepër në pajisjen hard disk të sekuestruar evidentohen gjurmë të procesit të back up”.
Organi i akuzës informon se hyrja e paautorizuar kompjuterike është realizuar dhe pas hapjes së portave USB, procesi i back up ka filluar, por nuk është përfunduar plotësisht.